Javën e Tretë Të Janarit Nis Vaksinimi Kundër COVID – Procedura Si Do Të Kryhet

331 0

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kanë inspektuar nga afër krijimin e kushteve për nisjen e vaksinimit kundër COVID-19 në stadiumin “Air Albania”.

Gjatë inspektimit, znj. Manastirliu tha se vaksinimi do të nisë fillimisht për mjekët dhe infermierët. Të parët që do të marrin injeksionin kundër coronavirus do të jenë mjekët e spitaleve covid dhe më pas do të vazhdohet me personelin e urgjencave dhe reaminacionit.

Ministrja e Shëndetësisë tha se procesi i vaksinimit do të jetë çdo ditë 8 deri në 10 orë, ku gjatë 60 minutave do të vaksinohen rreth 60 persona.

Çdo person që do të vaksinohet do të duhet të presë në ambientin e stadiumit 30 minuta për të parë nëse do të ketë komplikacione.

Aktualisht janë duke u përshtatur ambientet dhe gjithashtu po kryhet  trajnimi i stafit që do të kryejë vaksinimin.

“Janë marrë masat për të gjithë elementët e sigurisë. Janë rreth 20 postacione deri tani. Por në fakt në terësinë e unazës të gjithë “Arenës” do të jenë 60 postacione për vaksinimin”. tha ministrja.

Ndërkohë që qeveria shqiptare thotë se ka arritur një kontratë me kompaninë Pfizer për të marrë 500 mijë vaksina, znj. Manastirliu tha se aktualisht janë krijuar kushtet për të pritur 30 mijë vaksina.

Vaksina e Pfizer kërkon kapacitete frigoriferike dhe aktualisht këto kushte ofrohen në QSUT, Agjencinë e Barnave dhe ISHP.

Ministria e Shëndetësisë do të krijojë karta për çdo persona të vaksinuar si dhe 21 ditë pas dozës së parë çdo kush prej tyre do të duhet të paraqitet për injektimin e dozës së dytë.

Kryeministri Edi Rama tha se vaksinimi pritet të nisë sa më shpejt ndërsa si afat të fundit caktoi javën e tretë të janarit.

“Në të gjitha rastet ne fillojmë në javën e tretë të janarit. Por le të shpresojmë që do të fillojmë më shpejt. Jemi në një fazë realisht shumë pozitive përsa i përket perspektivës të kësaj nisme. Kemi siguruar 500 mijë vaksina dhe njëhkohësisht kemi garantuar një trend vaksinimi, që i përgjigjiet strategjisë dhe që janë të kalendarizuara”, tha kreu i qeverisë duke shtuar se do të mbështet me vaksina dhe Kosova.

Vaksinimi do të jetë falas për të gjithë popullatën ndërkohë që qeveria ende nuk ka bërë të ditur se do t’i kushtojë buxhetit të shtetit kontrata me kompaninë Pfizer për sigurimin e 500 mijë vaksinave. Ndërkohë qeveria është duke negociuar dhe me një tjetër kompani për të siguruar doza të tjera.

Nga e marta Policia e Shtetit do të marrë në monitorim impiantin e stadiumit, që do të jetë dhe qendra e parë e vaksinimit në Shqipëri kundër covid. Ndërkohë pas përshtatjes së stadiumit “Air Albania” për kryerjen e vaksinimit, do të hapen dhe qendra të tjera fillimisht në Vlorë dhe Shkodër./Burimi:Euronews