Kompania prodhuese e çokokremit me emrin më të madh në botë pranon ndryshimin e formulës së përgatitjes së produktit.

Nutella tashmë ka një recetë të re dhe konsumatorët nuk janë aspak të kënaqur me lajmin.

Qendra e Mbrojtjes së Konsumatorit në Hamburg, Gjermani, vuri në dukje se çokokremi i famshëm tani ka më shumë sheqer dhe qumësht pluhur, por më pak kakao. Plus, ngjyra është më e hapur se varianti i mëparshëm.

Konsumatorët e zemëruar dënuan ndryshimin në mbarë median sociale sipas raportimeve nga AgroWeb.org. Grupi prodhues i çokokremit Ferrero konfirmoi ndryshimin e formulës duke iu përgjigjur kritikave.

Prodhuesi i Nutella, Grupi Ferrerro Rocher deklaron se, “receta jonë pësoi një përmirësim dhe vazhdon t’i japë konsumatorëve të Nutella një produkt me përbërës të kualitetit të lartë”.

Konsumatorët e Nutella po reagojnë fort ndaj ndryshimit të formulës pasi përbërësit e shtuar janë edhe më tepër në dëm të shëndetit.

Nutella deklaroi në një postim në faqen e saj gjermane të Facebook të martën se receta e saj e re mbetet ende e mirë.

Kompania e çokokremit tregon se shtimi i më shumë qumësht pluhur në formulë është faktori që rriti përmbajtjen e sheqerit të produktit.

Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Hamburgut në Gjermani deklaron se sipas listës përbërëse të shtypur në paketimin Nutella, raporti i qumështit pluhur ishte rritur në 8.7% nga 7.5% që ishte.

“Kakaoja është reduktuar dukshëm në listën e përbërësve,” citon AgroWeb.org njoftimin e ekspertëve gjermanë.

“Meqë ngjyra e re e Nutella është ndjeshëm më e hapur, është e qartë se më shumë qumësht pluhur është shtuar në kurriz të kakaos”.

Ndërkohë që të gjithë konsumatorët prisni uljen ose zëvendësimin e vajit të palmës në çokokremin e njohur, Nutella merr një drejtim të papritur duke shtuar qumështin pluhur dhe sheqerin.

Për më tepër redukton kakaon e errët, të vetmin përbërës të shëndetshëm që kishte receta e vjetër.

Ferrero, kompania italiane që prodhon Nutella, ka refuzuar kërkesat e përsëritura nga mediat për më shumë informacion rreth ndryshimit të recetës.

Nuk është ndryshimi i fundit

Por ky mund të mos jetë ndryshimi i fundit i recetës për Nutella. Ferrero ka punuar fort vitet e fundit për të fituar më shumë kontroll mbi prodhimin dhe furnizimin e lajthive – një përbërës themelor tek Nutella dhe Ferrero Rocher.

Ka vende të shumë kufizuara ku mund të rriten lajthitë, dhe shumica e tyre importohet nga Turqia.

Tom Molnar, një biolog dhe ekspert i lajthive në Universitetin Rutgers në SHBA, paralajmëroi se çdo problem i furnizimeve me lajthi do të ishte shumë problematike.

“Nëse ka një krizë prodhimi të lajthive në Turqi, kjo do të ndikojë direkt në prodhimin e ëmbëlsirave në mbarë botën” tha ai.

Me kohë AgroWeb ju këshillon ta përgatisni vetë çokokremin me qëllim që të keni kontroll të plotë mbi përbërësit, kjo sidomos e vlefshme për më të vegjlit./AgroWeb.org

Formulën e çokokremit të përgatitur në shtëpi e gjeni duke shtypur këtu.