Pandemia Koronavirus – Një Rrezik Gjithnjë e Më i Afërt

227 0

Ditën e sotme Shqipëria shënoi një shifër të re personash të prekur nga COVID-19.

ISHP raporton se numri i të infektuarve ka shkuar në 10 dhe se virusi me shumë siguri është sjellë nga Italia, pasi dy prej personave të prekur kanë pasur histori udhëtimi me këtë vend.

Të gjithë pacientët janë izoluar në QSUT tek pavijoni i Infektivit dhe po trajtohen nga mjekët.

Ministria e Shëndetësisë, ISHP dhe OBSH nga ana tjetër bëjnë thirrje që qytetarët të tregohen shumë të kujdesshëm dhe të respektojnë të gjithë këshillat e ekspertëve.

Paralajmërimi i OBSH

Ditën e djeshme në një konferencë për shtyp, kreu i OBSH  Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh për mediat se tani që virusi është shpërndarë në shumë shtete, mundësia e përhapjes së një pandemie globale është gjithnjë e më e afërt.

Ky kërcënim gjithnjë e më i pranishëm, vjen nga shpërndarja e virusit me një ritëm të shpejtë nga Azia në Evropë dhe në SHBA.

“Tani që virusi është shpërndarë në shumë shtete, kërcënimi i shpërthimit të një pandemie botërore është shumë real”, kështu u shpreh kreu i OBSH ditën e djeshme për mediat.

Shpallja e kësaj gjendje në të gjithë botën sipas burimeve të Organizatës Botërore të Shëndetit, është thjesht çështje ditësh nëse virusi vazhdon të përhapet me këto ritme.

Shifrat vazhdojnë të shtohen në botë ku shënohen 114,515 të infektuar që nga fundi muajit Dhjetor dhe 4027 të vdekur.

Vendi me përhapjen më të madhe e të shpejtë, Kinë javën e fundit ka raportuar për një rënie të shifrave të të infektuarve.

Gjithsesi qendra e virusit duket se ka lëvizur nëpër të gjithë botën, ku sot numërohen 100 shtete të prekura nga ky infeksion.

Një nga vatrat më problematike në Evropë është Italia me 9,172 raste dhe 463 vdekje deri në këto momente.

E gjithë Italia u shpall zonë e kuqe karantinë ditën e djeshme nga Kryeministri Giuseppe Conte, ndërsa të gjitha kontaktet e Shqipërisë me këtë shtet janë pezulluar përkohësisht./AgroWeb.org