Pipero: Të Prekurit Më Shumë Nga Sa Mendojmë – Çfarë Pritet në Javën e Tretë

185 0

Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero deklaroi sot se “jemi në një situatë të jashtëzakonshme dhe nuk ka asnjë rrugë tjetër veç të qëndrosh në shtëpi”.

“Pipero tha ndaj këtij virusi asnjë qytetar i botës nuk është i imunizuar dhe i përjashtuar”.

“Fakti që në Itali kemi pasur edhe të rinj e dëshmon më mirë këtë, por dëmin më të madh në jetë njerëzore e bën tek të vjetrit dhe të sëmurët kronikë”, tha ai.

Pipero tha se “javën e tretë epidemia bën një bum që të shokon, ne nuk kemi si ta njohim një person që është apo jo i infektuar”.

Pipero tha se “shifrat që kemi dhënë janë reale dhe janë ato që kemi evidentuar”.

“Epidemia ka formën e ajsbergut, majën i shohim akoma. Ne evidentojmë ata që kanë ankesa. Realisht numri është shumë herë më i madh, të paktën dhjetë herë më i madh, duhet të kemi 650 të infektuar por në rast se ata nuk zbatojnë urdhrat e izolimit ata janë burim infeksioni për të tjerët”, tha Pipero.

Lidhur me testimet, ai tha se “kjo nuk është një fushatë depistimi, por jemi në pandemi në javën e dytë”.

“Unë personalisht jam për të gjurmuar fort të gjitha rastet e kontaktit. Nuk ka arsye të kemi panik, por të testojmë për të identifikuar që të zvogëlojmë zinxhirin epidemik”, tha Pipero./Burimi:Atsh