Pudingu është një nga ëmbëlsirat e preferuara të çdo fëmije dhe të rrituri.

Kjo ëmbëlsirë mund të gatuhet me shije të ndryshme si çokollatë, vanilje ose luleshtrydhe, receta këto të mirënjohura për amvisat shqiptare.

Por siç mund ta dini, arti i të gatuarit nuk ka kufij në fantazi dhe në shije dhe kjo vlen edhe për ëmbëlsirat.

Përveç recetave unike që AgroWeb.org ka publikuar, si reçeli i kivit apo reçeli i hithrave, edhe me ëmbëlsirat si pudingu mund të eksperimentoni lehtësisht në kuzhinat tuaja.

Kungulli është ndër perimet që përdoret shumë si në gatimet e kripura ashtu edhe të ëmbla.

Në këtë artikull, AgroWeb.org do të ndajë me ju recetën e pudingut me kungull të verdhë dimëror, një ëmbëlsirë aspak e zakontë per shijet shqiptare, por tejet e ëmbël dhe e shijshme.

Veç të tjerash, kungulli ka edhe veti shumë të mira shëndetësore për organizmin tuaj, ndaj konsumi i tij është ideal si në recetat e kripura ashtu edhe të ëmbla.

Mjaftojnë vetëm 10 minuta dhe në tryezë do të keni një ëmbëlsirë të shijshme të cilën do ta duan të gjithë.

Përbërësit e Pudingut me Kungull

Për 7 racione ju nevojiten:

1 pako me puding pluhur me shije vanilje

1 kuti mesatare me qumësht të kondensuar (panda)

2 gota me pure kungulli

1 lugë çaji me kanellë

Krem pastiçerie, arra ose rrush të thatë për zbukurim

Udhëzimet

Në një enë të madhe hidhni qumështin e  kondensuar dhe pluhurin e pudingut sipas udhëzimeve në paketim.

Nëse udhëzimet janë për ta zierë pluhurin me qumësht, pas zierjes lereni të ftohet.

Futeni enën në frigorifer për 5 minuta

Në një enë tjetër përzieni purenë e kungullit me erëzat e ëmbla

Shtojini  pudingun me qumësht të kondensuar dhe përzijini mirë

Hidhni në gotat ose filxhanët e ëmbëlsirës.

Futini gotat në frigorifer për 10 minuta ose deri në momentin kur do të servirni ëmbëlsirën.

Ju bëftë mirë!/AgroWeb.org