Qyteti me Zemrën më të Dobët – INSTAT Publikon Faktorët Ndikues

352 0

Jeta sedentare, dieta e pakontrolluar dhe ekspozimi i lartë ndaj alkoolit dhe ndaj duhanit po i vret shqiptarët. 

Më së shumti duket sikur po prek meshkujt, që çdo vit e më shumë po humbasin jetën nga infarktet dhe goditjet në tru.

Alarmante është ulja e moshës së vdekshmërisë nga kjo sëmundje për meshkujt nën moshën 50 vjeç.

Sipas INSTAT, janë rritur me 0.9% vdekjet nga sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut në 2019-n, në raport me një vit më parë.

Rritja ka ardhur tërësisht nga meshkujt, humbjet e jetëve të së cilëve janë rritur me 3.2%.

Të dhënat më të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë identifikojnë tre faktorë të rrezikut përgjegjës për sëmundshmërinë, rreziqet e lidhura me dietën ushqimore, hipertensioni arterial, duhanpirja.

 

Aktualisht, faktorët e stilit të jetesës përbëjnë mbi 70% të barrës totale të sëmundshmërisë.

Në dy dekadat e fundit në Shqipëri, niveli total i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë.

Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar.

Në vitin 2010, duhanpirja ishte shkaktare e 22% të të gjitha vdekjeve në Shqipëri.

Barra totale e sëmundjes për meshkujt dhe femrat shqiptare është më e larta në rajonin e Europës Juglindore, raporton Ministria e Shëndetësisë në strategjinë kombëtare të shëndetit 2016-2020, ndërkohë që sëmundjet infektive në Shqipëri kapin një përqindje të lartë të barrës së përgjithshme të sëmundjeve, barra e sëmundjeve të patransmetueshme (NCDs) në Shqipëri është rritur me 34% nga viti 1990 deri në vitin 2010.

Ritmi i rritjes ka qenë i ngjashëm si për burrat dhe për gratë. Sëmundjet kardiovaskulare përbënin rreth 55% të të gjitha vdekjeve (51% te meshkujt dhe 61% te femrat) analizoi Ministria e Shëndetësisë.

Berati me zemrën më të dobët, rritet Shkodra

Në të gjithë vendin, në 2019-n kishte 4.1 vdekje për 1000 banorë, për sëmundjen e  aparatit të qarkullimit të gjakut, me një rritje të lehtë në raport me 4, që ishte ky tregues një vit më parë.

Sipas qarqeve, qyteti me vdekjet më të larta nga zemra dhe tensioni, në raport me popullsinë është Berati, me 5.3 vdekje për 1000 banorë, me rritje në raport me vitin e mëparshëm (shih grafikun).

Në vend të dytë ka kaluar Shkodra, e cila ka shënuar një rritje të lartë të humbjeve të jetës nga zemra dhe tensioni në 2019-n (+8%), me 77 jetë të humbura më shumë, duke u ngjitur në 5.3 vdekje për 1000 banorë, nga 4.8% që ishte ky tregues vitin e mëparshëm.

Më pas renditen Korça e Gjirokastra (5.1 secili) , Vlora (4.9), Dibra (4.4).

Zemrën më të fortë e kanë tiranasit (3.5 vdekje për 1000 banorë), durrsakët (po 3.5) dhe elbasanllinjtë (3.4)./Burimi:Monitor