Si ndikon ndotja e ajrit tek të prekurit me COVID-19?

602 0

COVID-19 është një virus i cili prek drejtpërdrejtë mushkëritë, e për fatin tonë të keq në një vend me ndotje të lartë si Shqipëria, kjo epidemi ka rrezikshmëri të lartë.

Ajri i papastër ndikon në sistemin tonë të frymëmarrjes dhe në një kohë kur dihet që virusi COVID-19 prek mushkëritë, minimalja që mund të bëjmë është të fillojmë ndërgjegjësimin në marrëdhënien tonë me mjedisin.

Në fakt, cilësia shumë e dobët e ajrit është një nga problemet më të mëdha me të cilin përballet jo vetëm Shqipëria por gjithë vendet në Ballkanin Perëndimor.

Ndotja dhe pandemia së bashku kanë kontribuar në rritjen e vdekshmërisë në këtë rajon.

“Ballkan i bashkuar për ajër të pastër” është një fushatë me nismë të Fondit Europian për Ballkanin, e cila u bën thirrje institucioneve kompetente në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe qytetarëve të tyre, që të ndërmarrin veprime të përbashkëta që do të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe rrjedhimisht uljen e shkallës së vdekshmërisë që lidhet me COVID-19.

Nevoja e kësaj fushate erdhi kryesisht sepse personat e infektuar, të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit, zhvillojnë simptoma më të rënda që lidhen me frymëmarrjen si pasoj e pranisë së SARS-CoV-2.

Studimet për lidhjen mes ndotjes së ajrit dhe pandemisë sa vijnë e shtohen por duhet thënë se ende nuk ka një studim konkret për rajonin e Ballkanit, i cili jo vetëm duhet marrë në shqyrtim por duhen marrë dhe masa për përmirësimin e gjendjes.

Sipas Fondit Europian për Ballkanin, masat për përmirësimin e cilësisë së ajrit duhet të integrohen në mënyrë që t’i jepet një ndihmë dhe sistemit shëndetësor, që me pandeminë COVID-19 po kalon një nga fazat më të vështira të tij./Burimi:EuroNews