Studiuesit Për Vaksinat E COVID-19: Një dozë e vetme redukton sëmundjen me 80%

281 0

Një dozë e vetme e vaksinës së Oxford dhe Astrazeneca-s apo e Pfizer dhe Biontech, redukton shansin e nevojës për trajtim në spital me më shumë se 80 për qind.

Ky është rezultati në të cilin ka dalë një analizë e kërkuesve britanikë. Sekretari i shëndetësisë, Matt Hancock, tha se rezultati është shumë inkurajues. Më shumë se 20 milionë njerëz në Britani kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti covid, në Britani. Kjo do të thotë se është vaksinuar më shumë se një e treta e popullatës së rritur.

Hancock tha se rezultati i studimit mund të ndihmojë të shpjegojë edhe faktin përse numri i shtrimeve në njësitë e kujdesit intensiv, mes personave mbi 80 vjeç në Britaninë e madhe, ka rënë ndjeshëm javët e fundit. Ekspertët e shëndetësisë në Britani thonë se ka prova në rritje se vaksinat po funksionojnë në reduktimin e infeksioneve dhe shpëtimin e jetëve. Të dhënat tregojnë edhe se vaksina e Pfizer, që nisi të administrohej një muaj para asaj të Astra zenekës, çon në 83 për qind reduktim të viktimave nga covidi.

Dhe po ashtu tregojnë se vaksinimi redukton rrezikun e personave mbi 70 vjeç që të zhvillojnë simptoma covidi në rreth 60 për qind, tre javë pas dozës së parë. Për ekspertët britanikë ndërkohë, vendimi për t’ia dhënë vaksinën e astra zenekës edhe të moshuarve, është justifikuar qartësisht ndërkohë që disa vende evropiane refuzojnë t’ia japin atë mbi 65 vjeçarëve për shkak se të dhënat nga testimet ishin bazuar kryesisht tek pasojat tek të rriturit më të rinj në moshë./Burimi:Top Channel