Të Dyshuar Me Koronavirus Në Shqipëri – ISHP Tregon Masat Mbrojtëse Të Ndërmarra

240 0

Raportimet më të fundit nga mediat e huaja, pohuan për përhapjen e koronavirusit në Itali.

Pas Kinës, OBSH deklaroi se Italia ishte rasti i dytë problematik i cili ka qendrën në Evropë.

Deri më tani në shtetin tonë fqinj janë raportuar rreth 132 raste, e ndërsa autoritetet po punojnë për të gjetur pacientin zero.

Pak orë më parë Italia zyrtare deklaroi pezullimin e mësimit në shkolla gjithashtu dhe shtyrjen e ngjarjeve kulturore dhe sociale deri në një lajmërim të dytë.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë: Mbi 80% e Rasteve Janë Shëruar

OBSH në një deklaratë zyrtare thekson se mbi 80% e pacientëve me koronavirus preken lehtë e shërohen.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Ad’hanom Ghe-brey-esus, në 2% të rasteve, sëmundja është fatale.

Rreziku i vdekjes rritet në mosha të thyera e kur pacientët rezultojnë me probleme shëndetësore. Epidemia shpërtheu dy muaj më parë në Kinë.

Deri tani shënohen 2 mijë e 630 viktima, shumica në territorin kinez.

Çfarë Do Të Thotë Për Shqipërinë?

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino ka dalë në një deklaratë zyrtare për mediat për të shpjeguar situatën aktuale në vend.

Sipas saj ISHP tanimë mund të përcaktojë diagnozën e koronavirusit falë disa pajisje të vendosura në laboratorët e këtij institucioni.

“Laboratori i ISHP është pjesë e rrjetit të laboratorëve europianë. Ne jemi në atë hap që janë gjithë vendet e tjera të botës, dhe sidomos të Europës”, deklaroi Znj. Bino.

Ndërsa pohoi se në kufi janë përforcuar masat mbrojtëse, edhe pse sipas ISHP qytetarët që udhëtojnë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë menjëherë për ndonjë shqetësim.

Nga ana tjetër, për të lehtësuar punën e personelit mjekësor, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive tha se në aeroport ndodhet njësia e inspektoratit sanitar e përbërë nga mjekë e personel shëndetësor.

Bino deklaroi se hapi më i rëndësishëm është kapja e kontaktit dhe më tej marrja e masave për izolim.

Për sa i përket vendosjes së një karnatine, mjekja Bino pohoi se është përzgjedhur një strukturë spitalore në kushtet e përcaktuara nga OBSH.

Gjithashtu ISHP do të publikojë edhe rregullat për të ndërtuar një karantinë të përkohshme në shtëpitë tuaja në qoftë se lind nevoja.

Ajo e përmbylli deklaratën e saj duke nënvizuar se nuk duhet të ketë panik dhe se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar.

Sipas ISHP qytetarët duhet të jenë vigjilent dhe të kujdesshëm për veten dhe të afërmit e tyre./AgroWeb.org