Paraditen e kësaj të premteje, qyteti turk i Izmirit u trondit nga një tërmet me magnitutë 7 ballë të shkallës rihter.

 Nga të dhënat e deri tanishme, 4 persona kanë ndërruar jetë, 120 të tjerë janë lënduar, e të paktën 20 shtëpi janë shembur. Për të sqaruar lëkundjet në Turqi, por edhe për të treguar nëse vendi ynë është i rrezikuar të goditet nga një tërmet në orët në vijim, në “Top Talk”, i ftuar ishte sizmologu Edmond Dushi.

Sipas tij, tërmeti që përfshiu Turqinë e Greqinë ishte më i fuqishëm se sa ai që preku Shqipërinë më 26 nëntor 2019, pasi sipas Dushit po flasim për dy lëkundje të ndryshme në magnitutë. Ai tha se situata sizmike në Shqipëri paraqitet disi më e qëndrueshme. Dushi theksoi se Shqipëria ashtu sikurse edhe vendet e tjera të rajonit, është zonë aktive tërmetesh dhe lëkundje sizmike sipas tij do të ketë herë pas here.

“Klasifikimi përsa i përket natyrës është tektonik i pastër, por për energjinë sizmike është tepër i fuqishëm. Nuk është i ngjashëm me tërmetin e 26 nëntorit, ky ka një magnitutë 7, ndërsa ai i 26 e ka pasur 6.4, të momentit, ka diferencë. Aktualisht që flasim përballemi me një situatë më të qetë sizmike. Kjo është normale sepse energjia e çliruar nga tërmeti i vitit të kaluar ishte e madhe, korja e tokës në Shqipëri dhe  më gjerë është ende aktive. Është ende shpejt të themi që kemi një cikël normal, sepse ne këtë e presim në 30 e më shumë vjet. Kjo nuk do të thotë që gjatë gjithë kohës presim tërmete. Shqipëria është një zonë aktive tërmete, do të ketë tërmete herë pas here”, tha Sizmologu./TopChannel