Vjosa së Shpejti Zonë e Mbrojtur nga Kufiri me Greqinë Deri në Derdhjen me Adriatikun

316 0

Qeveria Shqiptare së shpejti do të shpallë zonë të mbrojtur të gjithë pjesën e lumit Vjosa nga kufiri me Greqinë deri në derdhjen e Adriatikut.

Ndërkohë që është parashikuar të zgjerohet zona e mbrojtur edhe për Alpet e Shqipërisë.

Vendimi për Vjosën

Ky lajmërim u bë i ditur nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z.Blendi Klosi në prezantimin e projektit Aquanex në Përmet që parashikon evidentimin e problematikave në mjedis.

“Ne kemi mijëra e mijëra turistë të cilët vizitojën sajtet tona të UNESKOS ku padyshim Berati dhe Gjirokastra janë kulmet e turizmit shqiptar por nuk na mjafton të kemi vetëm Gjirokastrën.

Ne na duhet që ta shtrijmë në të gjithe zonën ku kemi burime të mëdha. Dhe grupe të mëdha turistësh tashmë kanë zgjedhur Përmetin dhe bukuritë e tij natyrore për të qenë pjesë e vizitave të tureve të tyre.

Në kuadër të zonave të mbrojtura ne po punojmë për ta shpallur zonën e sipërme të Vjosës ku përfshihet edhe zona ku po bëhet studimi në një zonë të mbrojtur.”, tha ministri Klosi.

Ai shtoi se monumentet e natyrës duhet të ruhen në bashkëpunim me komunitetin ndaj në kuadër të takimit për problematikat e mjedisit, u theksua se së shpejti Vjosa dhe disa zona të tjera malore të vendin do të shpallen të mbrojtura.

Ndërkohë projekti Aquanex projekt mendohet se do të realizohet në 2 zona të Shqipërisë për evidentimin e zonave problematike.

Konkretisht në Gjirokastër e Përmet ku do të monitorohen ujrat në lumen e Vjosës dhe Drinit, me qëllim mbrojtjen e vlerave të tyre natyrore dhe zhvillimin e turizmit në këtë zonë të vendit.

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit u shpreh se ka ardhur koha të kuptohen më mirë vlerat natyrore si burim i pashtershëm i jetës, energjisë, turizmit dhe i ekonomisë në këtë zonë.

Ky lajmërim vjen disa vite pas protestave dhe kundërshtimeve të shoqërisë civile, akademikëve dhe banorëve të zonës për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin e Vjosës./AgroWeb.org