Ja se si Ndikon Cilësia e Gjumit në Shëndetin Tuaj

2.1k 0

Trupi juaj e përdor gjumin për të forcuar sistemin imunitar, për të përpunuar informacionin dhe për të rimarrë energji para se të fillojë një ditë e re.

Por çfarë ndodh kur nuk flini aq sa duhet ose kur nuk bëni një gjumë të qetë?

AgroWeb.org ju tregon më poshtë se si gjumi ndikon në shëndetin tuaj.

Dobëson sistemin imunitar

Imagjinojeni sistemin tuaj imunitar si një ushtri, gjithmonë në gjendje t’ju mbrojë nga forcat e liga (infeksionet dhe sëmundjet).

Ashtu si një ushtri, sistemi juaj imunitar ka nevojë për kohë për të ndërtuar mbrojtjen e tij.

Kur flini, sistemi juaj imunitar përgatitet për “luftë” duke prodhuar substanca (antitrupa dhe citokina) që ndihmojnë në luftimin e infeksioneve ose sëmundjeve.

Gjumi i pamjaftueshëm dobëson sistemin tuaj imunitar duke mos e lejuar atë të krijojë mbrojtje të mjaftueshme.

Probleme me frymëmarrjen

Apnea obstruktive e gjumit është një çrregullim i frymëmarrjes gjatë natës që mund t’ju privojë nga gjumi.

Privimi nga gjumi mund t’ju bëjë më të ndjeshëm ndaj gripit ose ftohjes së zakonshme, si edhe mund të përkeqësojë sëmundjet ekzistuese.

Probleme me zemrën

Kur bëhet fjalë për sëmundjet e zemrës, gjumi i tepërt ose i pamjaftueshëm, mund të ketë një efekt negativ në shëndetin tuaj kardiovaskular.

Rritet rreziku ndaj kancerit

Një studim i vitit 2015, ku Agroweb.org u bazua, zbuloi se mungesa e gjumit lidhet me rritjen e rrezikut të disa llojeve të kancerit, si kanceri i prostatës, kanceri i gjirit dhe kanceri i gojës.

Rekomandohet të flini të paktën 7 orë çdo natë në mënyrë që të qëndroni të shëndetshëm.

Rritet rreziku ndaj diabetit

Mungesa e gjumit parandalon trupin tuaj të çlirojë mjaftueshëm insulinë, një hormon që ul nivelet e sheqerit në gjak.

Kjo mund të shkaktojë rritjen e niveleve të sheqerit në gjak, gjë që mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2.

Probleme me të menduarin

Nëse nuk flini mjaftueshëm, mendja juaj mund të turbullohet, gjë që mund të çojë në probleme me kujtesën, arsyetimin, reagimin, madje edhe me krijimtarinë tuaj.

Shtim në peshë

Duke qenë se gjumi ndikon në prodhimin e hormoneve që kontrollojnë urinë dhe ngopjen, mungesa e tij mund të shkaktojë uri në orët e vona të natës.

Probleme me lëkurën

Studime të ndryshme kanë treguar se gratë që nuk flinin mjaftueshëm ose që bënin një gjumë të keq, kishin shenja më të dallueshe të plakjes së lëkurës.

Ndikon tek hormonet

Gjumi ka një ndikim të madh edhe në prodhimin e hormoneve, për shembull, prodhimi i testosteronit kërkon të paktën 3 orë gjumë të pashqetësuar.

Ndikon tek humori

Gjumi i pakët mund të dëmtojë gjendjen tuaj mendore dhe emocionale, duke ju bërë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të humorit.

Kur lihet i patrajtuar, privimi nga gjumi madje mund të bëjë që ju të shihni ose dëgjoni gjëra që në të vërtetë nuk ekzistojnë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.