Barbunjat apo siç njihen ndryshe mashurkat, janë një nga perimet me përmbajtje të lartë të hekurit.
Ato këshillohen të përdoren sa më shpesh pasi kanë vlera të pazëvendësueshme për organizmin.
Duke i bashkuar me mishin, i cili përmban proteinat e nevojshme për stinët e ftohta, ju keni kombinimin më perfekt.
Mund edhe t’i keni provuar e gatuar, por AgroWeb.org ju jep recetën e këtij bashkimi vlerash që vërtet bën fuqi.
Përbërësit
- 600gr barbunja të verdha
- 4 thela mish viçi
- 1-2 lugë gjelle me vaj ulliri
- 1 qepë mesatare
- Kripë dhe piper për shije
- 2 karrota
- 2 domate mesatare
- 2 speca (një jeshil dhe një i kuq)
- 2 patate mesatare
Përgatitja
Nisni përgatitjen duke zierë barbunjat në një tenxhere të mbushur deri në gjysmë.
Ndërkohë vazhdoni me përgatitjen e perimeve të tjera që do tju duhen.
Lani me ujë të bollshëm dhe qëroni qepët, specat, karrotat, domatet dhe patatet.
Qepën griheni në rende që të përfitoni copa sa më të imëta e që shija e saj të zbutet.
Në zjarr vendosni një tenxhere dhe shtoni vajin e ullirit dhe qepën e sapo grirë.
Sapo qepa të jetë skuqur lehtë shtoni mishin.
AgroWeb.org ju sugjeron që mishin ta skuqni në të dy anët derisa ai të ketë marrë një ngjyrë.
Nga ana tjetër, barbunjat do të jenë zierë, kështu që kullojini dhe lërini në një tas.
Merrni patatet dhe karrotat dhe pritini ato në copa të vogla. Më pas shtojini tek tenxherja ku po skuqnit mishin dhe qepën.
Me një lugë druri përzjejini herë pas here, në mënyrë që qepa të mos ngjitet.
Po kështu veproni edhe me specat, dhe skuqini derisa qepa të jetë bërë transparente, dhe mishit ë ketë marrë një skuqje akoma dhe më të plotë.
Tani AgroWeb.org ju këshillon që të shtoni barbunjat dhe domaten e grirë ne rende.
Shtoni gjysmë gote ujë, kripë dhe piper dhe përzjejeni mirë që gjithçka të marri shije.
Mbulojeni me kapak tenxheren dhe lëreni të ziejë derisa të uji të avullojë.
Pas 30-40 minutash mishi do të jetë zbutur, dhe salca do të jetë trashur aq sa duhet.
Ju mbetet vetëm që të përgatisni sallatën dhe ta servirni këtë pjatë plot vlera./AgroWeb.org