Burani e Ngrohtë me Spinaq – Traditë, Shije dhe Shëndet

4.6k 0

Burania me Spinaq është një ndër pjatat fantastike, të shijshme, e pasur me vlera ushqyese, pjesë e traditës së kulinarisë shqiptare.

Një gatim tradicional, i trashëguar brez pas brezi e që përherë mbetet ndër më të preferuarat  e shqiptarëve.

Burania është një pjatë e lehtë por e pasur me vlera ushqyese, kjo falë spinaqit, një nga burimet më të fuqishme të natyrës të hekurit dhe proteinave.

E thjeshtë në përgatitje dhe e lehtë për organizmin, burania është një recetë fantastike për një drektë të shkëlqyer, të shëndetshme.

Kjo pjatë shoqërohet mjaft mirë me sallata të ndryshme të stinës, sallata perimesh të zjera apo të pjekura, sallatë me ullinj e portokalle por edhe me byrekë të ndryshëm apo turshitë e shijshme të përgatitura nga amvisat shqiptare.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron recetën tipike të buranisë me spinaq e cila përgatitet krejt lehtë dhe është një mënyrë fantastike për t’u shijuar me familje.

Përgatitja e Buranisë me Spinaq e Vezë në Shtëpi

Përbërësit

  • 1 kg spinaq i freskët
  • 5 qepë të njoma
  • 5 lugë vaj ulliri
  • 2 lugë gjelle me oriz
  • Kripë
  • Piper
  • Nenexhik

Përgatitja

Kujdesemi qe të pastrojmë mirë spinaqin me ujë të rrjedhshëm.

Pastrojmë qepët dhe i grijmë imët.

Hedhim në një tenxhere vajin e ullirit dhe dhe shtojmë qepët. I vendosim në zjarr dhe i kavërdisim për disa minuta derisa volumi i tyre të bjerë.

Më pas shtojmë orizin dhe vijojmë t’i kavërdisim . në vijim shtojmë ujë (dy gota ujë) dhe i lëmë të zjejnë.

Presim spinaqin në copa por jo shumë të vogla. Nëse gjethet e spinaqit janë të vogla i lënë siç janë.

Shtojmë kripën dhe piperin dhe një gotë tjetër me ujë.

E lëmë të zjejë derisa uji të ketë shterruar dhe orizi të jetë zjerë plotësisht.

Kur gjella është gati shtojmë pak nenexhik dhe e kavërdisim.

Më pas e mbulojmë tenxheren me kapak dhe e lëmë përreth 10 minuta në zjarr të ngadaltë.

E servirim të ngrohtë duke vendosur nga një vezë për secilin person në pjatë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.