Byrek me Krem Qumështi dhe Djathë – Një nga Recetat më të Shijshme

1.5k 0

Byreku ka qenë pjesë e traditës së tryezave shqiptare që në fillimet e kulinarisë.

I përgatitur me mbushje nga më të ndryshmet, bën që byreku të mos ju dalë kurrë nga qejfi.

Çdo person e ka një të preferuar, në mos ai me spinaq, qepë e domate si dhe ata më dimërorët me mish apo fasule.

Një recetë që është prezente në çdo stinë dhe i bashkon pranë tryezës që të gjithë, të rritur e fëmijë.

AgroWeb.org ju sjell sot një recetë vërtet të veçantë dhe të shijshme.

Byrekun e përgatitur kështu mbase mund të mos e keni provuar, në larminë e recetave.

Ndiqni hapat me kujdes dhe do të përgatisni byrekun më të mirë me krem qumështi dhe djathë.

Përbërësit

Për mbushjen

1 l qumësht

100 g gjalpë

130 g miell

200 g djathë kaçkavall

200 g djathë i bardhë

2 të verdha vezësh

Piper

Arrë myshku (Arrë moskat)

Për byrekun

1 pako me petë të gatshme

50 g gjalpë i shkrirë

Gjysmë gote me ujë të gazuar

Përgatitja

Si fillim vendosni një tenxhere në zjarr dhe aty hidhni gjalpin që të shkrihet.

Shtoni miellin dhe përzjejeni me një lugë druri në mënyrë që të skuqet lehtë.

Kur mielli të ketë marrë një ngjyrë të artë filloni të shtoni qumështin ngadalë.

Kini kujdes, në këtë fazë duhet të përzieni vazhdimisht masën e formuar, pasi duhet të shmangni krijimin e kokrrizave.

Lëreni që të vlojë dhe sapo bulëzat e para të depërtojnë në sipërfaqen e tenxheres, largojeni atë nga zjarri.

Shtoni tek masa djathin kaçkavall të parin.

AgroWeb.org ju sugjeron që djathin ta keni grirë me rende sa më imët, kështu ai do të shkrihet plotësisht.

Përzjejeni masën dhe më pas shtoni djathin e bardhë të thërrmuar, piperin dhe arrën e myshkut për t’i dhënë dhe shijen perfekte recetës.

Pasi të keni përzierë mirë gjithçka, është momenti që të shtoni të verdhat e vezëve të cilat i keni rrahur lehtë mëparë.

Tani është koha për të përgatitur petët e byrekut.

Merrni një tavë mesatare dhe lyejeni me gjalpin e shkrirë.

Shtroni dy petë duke i lënë që të varen nga anët e tavës.

Lyeni me gjalpë të shkrirë dhe petët, dhe filloni të shtroni në petët e tjera që të gjitha njëra pas tjetrës në formën e fizarmonikës.

Mos harroni ta spërkatni me gjalpë sipërfaqen e petëve fizarmonikë.

Ndërkohë ruani dy petë për të mbuluar byrekun.

Pasi t’i keni radhitur të gjitha petët njëra pas tjetrës të rrudhura siç tregohet në foto është koha të shtoni kremin e qumështit me djathë.

Hidheni të gjithë masën dhe përhapeni që të krijoni një shtresë të njëtrajtshme.

Mbulojeni me dy petët e mbetura duke i spërkatur secilën me gjalpë.

Mbulojeni dhe me gjysmat e petëve që i latë të vareshin në anët e tavës dhe sigurohuni që mbushja nuk është derdhur.

Me një thikë priteni byrekun katrorë dhe tani hidhni dhe ujin e gazuar në të gjithë sipërfaqen e tavës.

Futeni për ta pjekur në furrë të ngrohur me 180 gradë për 40-50 minuta.

Ose derisa sipërfaqja e byrekut të ketë marrë një ngjyrë të artë të ndezur.

Pasi të jetë pjekur largojeni nga furra dhe lëreni të ftohet për 20 minuta pasi kremi duhet të mpikset.

Më pas mjafton që ta servirni dhe të mrekulloheni me shijen e tij./AgroWeb.org