Kek me Rrush të Thatë dhe Mollë – Ëmbëlsira e Shëndetshme

3.2k 0

Keku është një nga ëmbëlsirat më të thjeshta për t’u përgatitur, dhe nga më të mirat për t’u shijuar.

Recetat e tij janë nga më të pafundmet, pasi çdo gjë mund të kombinohet me brumin e tij të butë dhe të shkrifët.

AgroWeb.org këtë radhë ju tregon se si të bashkoni thatësinë e rrushit të thatë, mollët krokante dhe lëngun e portokallit për të krijuar një delikatesë unike.

Zbuloni hapat e recetës mëposhtë dhe shijojeni që sot me të dashurit tuaj duke e shoqëruar me pak reçel kajsie, akullore apo çokollatë të shkrirë.

Përbërësit:

  • 3 vezë
  • 1 filxhan çaji kos
  • 1 e 1/2 filxhan çaj sheqer
  • 1 filxhan kafe qumësht
  • 1 filxhan vaj bimor
  • 4-5 filxhan çaji miell
  • 1 pako pluhur pjekës
  • 100 gr rrush I thatë
  • lëngu i një portokalli
  • 1 lugë çaji lëkurë portokalli
  • 1-2 mollë
  • 1 lugë çaji sheqer
  • 1/2  lugë kafeje kanellë
  • Tepsi 26 cm

Përgatitja:

Fillimisht vendosim rrushin e thatë në lëng portokalli të zbuten. Në një tas vendosim vezët të plota, kosin, sheqerin, qumështin, vajin dhe të gjithë këto përbërës i përziejmë mirë deri sa të na formohet një masë homogjene.

Shtojmë miellin pak nga pak dhe pluhurin pjekës si dhe 1 lugë çaji lëkurë portokalli, përziejmë brumin. Shtrydhim rrushin e thatë nga lëngu i portokallit dhe i vendosim në brumë dhe vazhdojmë përzierjen.

Qërojmë mollën nga lëkura dhe e presim ne feta të holla. I spërkasim dhe ato me lëng portokalli dhe sheqer.

Lyejmë tepsinë me gjalpë e pudrosim me miell dhe vendosim brumin në të. Sipër brumit vendosim në formën e rrezes fetat e mollës  duke shtuar mbi to dhe disa kokrra rrush të thatë.

Në fund 1 lugë çaji sheqer dhe 1 lugë kafe kanellë i përziejmë dhe pudrosim mollën në sipërfaqe, vendosim tepsinë në furrë në temperaturë 175- 180 gradë Celsius për 35-40 minuta.

Në fund pasi e nxjerrim nga furra ashtu të ngrohtë mund të lyeni sipër me pak reçel kajsie./AgroWeb.org