Musaka Verore me Perime, Kos dhe Vezë – Receta me Shije të Përsosur

4.9k 0

Musakaja është një gatim që bashkon në tryezë shumë vende të Ballkanit Perëndimor.

Ajo përgatitet kryesisht me patëllxhanë ose patate dhe shpesh përfshin mish të grirë.

Në shumë receta, musakaja plotësohet me salcë qumështi, salcë beshamel ose salcë djathi.

Emri ‘musaka’ vjen nga Perandoria Osmane dhe është huazuar nga Arabishtja dhe përkthehet “ ai që ushqehet me lëngje.’

Musaka është një emërtim i huazuar njëri pas tjetrit që nga Shqiptarët, Turqit, Grekët dhe Arabët.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni recetën e musakasë me mish qingji dhe patëllxhanë.

Përgatitja e Musakasë Verore

Përbërësit

  • 1 lugë gjelle me gjalpë
  • 1 qepë mesatare të grirë hollë
  • 2 patëllxhan të qëruar dhe të prerë në feta
  • 2 patate të qëruara e të prera në kubikë
  • 1 lugë gjelle me kripë
  • 1 lugë gjelle me vaj ulliri
  • 2 thelbinj hudhër të grirë hollë
  • 500 gramë mish të grirë
  • 1 gjethe dafinë
  • 400 gramë me salcë me domate pa lëkurë dhe të shtypura.
  • 1 lugë gjelle me gjalpë
  • 1 lugë gjelle me miell
  • 1 filxhan çaji qumësht
  • 2 lugë gjelle me djathë të bardhë të thërrmuar ose kaçkavall
  • Gjysmë filxhani me kos
  • 2 vezë të rrahura

Përgatitja:

Ndizeni furrën në një temperaturë prej 200 °C.

Lyejeni tepsinë me gjalpë dhe hidhni gjysmën e sasisë së qepëve të grira.

Copat e patëllxhanit spërkatini me kripë, mbajini në kullesë për 15 minuta dhe shpërlajini.

Ziejini patatet dhe prijini në kubikë. Më pas hidhini edhe ato në tepsi.

Ndërkohë, AgroWeb.org ju udhëzon që fetat e patëllxhanit t’i spërkasni me vaj ulliri dhe piqini në furrë për 15 minuta.

Hiqini nga furra dhe vendosini në tepsinë e musakasë.

Ngroheni vajin e ullirit në një tigan dhe shtoni pjesët e mbetura të qepës bashkë me hudhrën.

Gatuajini për 7 minuta.

Shtoni mishin e grirë, erëzat dhe gjethen e dafinës dhe lëreni të skuqet për 8 minuta.

Më pas hidhni salcën e domateve dhe lërini të ziejnë për 20 minuta të tjera.

Plotësojeni gatimin me kripë dhe piper dhe hidheni në tepsinë ku keni patëllxhanët dhe patatet.

Për salcën kremoze, kaurdisni miellin në gjalpë të shkrirë deri sa të marrë ngjyrë kafe.

Më pas shtoni qumësht dhe përziejeni rregullisht me një lugë druri deri sa mielli të tretet në mënyrë të njëtrajtshme.

Më pas shtoni djathin e grirë dhe përziejeni deri sa masa të lëshojë bulëza.

Hiqeni nga zjarri dhe plotësojeni me kripë dhe piper.

Lëreni mënjanë të ftohet.

Merrni një tas qelqi dhe përzieni kosin me vezët e rrahura.

Kur salca e djathit të jetë ftohur mjaftueshëm përziejeni me kosin dhe vezët dhe rrihini së bashku deri sa të treten me njëra tjetrën.

Hidhni mishin në tepsi dhe në fund salcën e djathit.

Vendoseni tepsinë në furrë dhe piqeni për 30 minuta ose deri sa musakaja të formojë bulëza.

Hiqeni tepsinë nga furra, lëreni të ftohet për 10 minuta dhe më pas servireni duke e zbukuruar me majdanoz./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.