Qofte me Brokoli – Si t’i Përgatisni Vetë në Shtëpi Plot Shije

5.4k 0

Një nga perimet më me vlera për organizmin është pikërisht brokoli.

Recetat e përgatitjes së tij janë të shumta, duke qenë se është e këshillueshme që të konsumohet sa më shumë.

AgroWeb.org ju sjell një recetë që do të bëj të dashurohen me të dhe tekanjozët e tavolinës.

Të shëndetshme, krokante dhe plot shije qoftet me brokoli janë një zgjidhje shumë e lehtë nëse nuk dini se çfarë të përgatisni sot.

Receta është e lehtë si për t’u përgatitur por edhe për organizmin.

Përbërësit

  • 1 lugë gjelle me vaj ulliri
  • 1 qepë e grirë imët
  • 2 tufa me brokoli mesatare
  • 2 lugë gjelle me erëza (rigon, borzilok, nenexhik)
  • 1 vezë
  • Gjysmë gote uji me djathë kaçkavall apo të bardhë të thërrmuar
  • 2 lugë gjelle me miell
  • 2 lugë gjelle me bukë të thekur të thërrmuar
  • Kripë dhe piper të zi

Përgatitja

Vendosni një tigan në zjarr mesatar dhe skuqni qepën me vaj ulliri përreth 4-5 minuta.

Ndërkohë përgatisni brokolin në grirësen elektrike. Mund ta prisni dhe me thikë, vetëm sigurohuni që copëzat të jenë sa më të vogla.

Pasi ta keni grirë brokolin bashkoheni me qepën dhe jepini një të skuqur të lehtë për 2-3 minuta.

Në këtë moment hidhini pak kripë dhe piper, pasi nëse e shtoni më vonë brokoli nuk do të marrë shije.

HIqeni nga zjarri dhe kalojeni në një tas që të ftohet pak.

Shtoni aty miellin, bukën e thekur, erëzat e grira, djathin dhe vezën dhe përzjejini derisa të formoni një brumë.

Nëse e shikoni që masa është pak e lëngshme mund të shtoni dhe një lugë gjelle me bukë të thërrmuara.

Merrni një lugë të pastër dhe një gotë të mbushur me ujë.

Lyejeni lugën në ujë dhe merrni pak nga brumi që përgatitë.

Me duar jini formën rrumbullake të qofteve.

Kjo recetë mund të përgatitet dhe duke i skuqur qoftet e brokolit. Por AgroWeb.org ju sugjeron që t’i pisni për një pjatë sa më të shëndetshme.

Në një tavë shtroni një letër pjekjeje, ose lyejeni mirë me vaj ulliri.

Vendosini qoftet duke i rreshtuar me pak hapësirë nga njëra tjetra, kështu do të mund të piqen plotësisht.

Futini në një furrë të parangrohur me 200 gradë, dhe piqini përreth 20-25 minuta.

AgroWeb.org ju këshillon që pas 15 minutash, t’i ktheni qoftet, kështu do të piqen nga të dyja anët.

Ato do të jenë krokante dhe me ngjyrë të artë në sipërfaqe.

Shërbehen të ngrohta dhe duke i shoqëruar me makarona me salcë apo me sallata të ndryshme si një pjatë më vete.

Kjo recetë është dhe një zgjidhje e zgjuar për t’i bërë fëmijët që të duan brokolin. /AgroWeb.org