Sallatë me Fasule dhe Qepë të Freskëta – Shije e Përkryer

3.3k 0

Me ndryshimin e stinëve edhe ushqimi duhet t’i përshtatet nevojave të organizmit.

Një nga ushqimet që është prezent gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit, është fasulja.

Një nga arsyet më të forta se përse kjo bishtajore konsiderohet dimërore është falë sasisë së lartë të proteinave dhe fibrave që përmban.

Dy nga vlerat ushqimore që i japin trupit energjinë që i duhet për të përballuar të ftohtin.

AgroWeb.org ju tregon një recetë që ia vlen ta provoni për shijen unike që dhuron.

Vetëm me pak përbërës ju do të keni përgatitur një pjatë plot vlera dhe shije.

Përbërësit

  • 500-600gr fasule të bardha ose të kuqe
  • 1 qepë e grirë
  • Gjysmë luge gjelle me uthull molle (ose limon sipas dëshirës)
  • 1 lugë gjelle me vaj ulliri
  • 1 lugë e gjysmë çaji me kripë
  • 2 lugë gjelle me majdanoz të freskët të grirë
  • 1 thelbi hudhër

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju sugjeron që të vini për të zierë fasulet.

Që të keni një rezultat sa më të mirë, lërini fasulet gjatë natës në një tas me ujë.

Më pas ndërrojani ujin dhe vërini për të zierë derisa kokrrat të jenë zbutur.

Mos harroni që kur të kenë filluar të zbuten t’i hidhni kripë që të marrin shije.

Kullojini fasulet dhe lërini që të ftohen plotësisht.

Ndërkohë lani dhe qëroni qepën e bardhë dhe filloni ta grini.

Copat e qepës nuk duhet të jenë shumë të vogla, e as të mëdha.

Madhësia duhet të jetë pothuaj sa gjysma e kokrrave të fasuleve.

Gjithashtu lani dhe qëroni nga kërcejtë gjethet e majdanozit dhe lërini në një letër kuzhine që të mos kenë ujë.

Merrni një tas të madh dhe aty hidhni fasulet që tanimë do të jenë ftohur.

Shtoni qepën e prerë dhe filloni të hidhni kripën, uthullën dhe vajin e ullirit.

Mos harroni të shtoni hudhrën e shtypur dhe përzjejeni sallatën tuaj.

Në fund, para se ta servirni, hidhni dhe gjethet e majdanozit dhe lëreni disa minuta që përbërësit të marrin shijen e njëri-tjetrit.

Mund ta shërbeni menjëherë, ose mund ta lini në frigorifer të mbuluar me qese kuzhine.

Kjo sallatë shkon me çdo lloj mishit ë gatuar sipas mënyrës suaj të preferuar.

Shkon me specat e mbushur apo dhe thjeshtë me oriz me perime./AgroWeb.org