Sallatë me Vezë të Rrahura dhe Perime – Shije dhe Shëndet në Pjatë

1.2k 0

Sallata është gjithnjë alternativa e shëndetëshme për të mbushur tryezën.

Nuk ka rëndësi sa perime apo erëza shtoni, ajo do të bëhet gjithnjë e më e shijshme dhe e vlefshme për organizmin.

Në recetën e sotme nga AgroWeb.org,  do ju tregojmë një mënyrë të re të përgatitjes së sallatës me vezë të rrahura dhe perime.

Kjo shije është përveçse e veçantë mund të kthehet në një vakt të plotë që ju ndihmon edhe të ngopeni më lehtë për shkak se përmban shumë fibra. 

Mësojeni mënyrën e përgatitjes së kësaj recete duke ndjekur këshillat tona si mëposhtë.

Përbërësit

  • 8 vezë
  • 180 gr bizele
  • 100 gr domate
  • 100 gr fasule të gatshme
  • 80 gr sallatë jeshile ose miks
  • 20 fletë borzilok
  • Gjysmë limoni i shtrydhur
  • Lëkurë limoni
  • Vaj ulliri
  • Piper i zi
  • Kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb ju këshillon që të rrihni mirë vezët.

Këtë mund ta bëni me dorë ose me anë të një rrahësi elektrik për disa sekonda, derisa ato të jenë përzier mirë.

Shtoni po aty edhe kripë dhe piper sipas dëshirës.

Më pas kalojini vezët e rrahura në një tigan të nxehtë të lyer me vaj dhe skuqini siç bëni zakonisht.

Skuqini në zjarr të lartë dhe përzieni gjatë gjithë kohës derisa vezët të mpiksen.

Kur vezët të jenë gati lërini në një pjatë veçmas dhe filloni të skuqni edhe bizelet në një tigan me pak vaj.

Ndërkohë vazhdoni me përgatitjen e salcës me borzilok që do t’ja hidhni sipër sallatës tuaj.

Në një mikser shtoni borzilokun, 2-3 lugë vaj ulliri, lëngun e limonit, lëkurën e grirë të tij dhe pak piper.

Përzieni me shpejtësi të gjithë përbërësit dhe kur të jetë formuar salca e lëngëshme vazhdoni me përgatitjen e sallatës.

Merrni një enë të thellë shtoni si fillim fletët e sallatës që keni përzgjedhur, bizelet, fasulet e gatëshme ose të ziera, domatet e prera dhe në fund vezën e rrahur.

Spërkateni të gjithën me pak vaj ulliri dhe piper e sipër shtoni salcën e borzilokut që përgatitët më parë.

Mund ta shoqëroni fare mirë me bukë të thekur me vaj ulliri./AgroWeb.org