Receta e Padëgjuar e Xhenxhefilit Turshi

1.2k 0

Xhenxhefili apo xhinxheri është padyshim një nga kurat më të mira popullore mjekësore që mund të përgatitet në kushtet e shtëpisë në disa mënyra.

Që nga zbulimi i tij, qytetërime të shumta e kanë përdorur xhenxhefilin për të shëruar një sërë shqetësimesh shëndetësore. Xhenxhefili përmban ushqyes të dobishëm dhe përbërës me aftësi shëruese të pakundërshtueshme.

AgroWeb.org do t’ju tregojë si të përgatisni xhinxher turshi, që mbase të ngjallë interesin e të gjithë dashamirësve të turshive dhe produkteve të fermentuara.

Xhenxhefili mund të bëhet turshi dhe të sjellë eksperienca të reja për shijet tuaja.

Përbërësit:

• 1 kg xhenxhefil
• 2 lugë gjelle me kripë deti
• 3 filxhanë me uthull molle ose uthull të thjeshtë
• 2 filxhanë me sheqer të errë

Udhëzimet:

1. Qërojeni xhenxhefilin dhe prijeni sa më hollë që të jetë e mundur me një thikë të mprehtë. Vendosini fetat e xhenxhefilit në një enë mesatare. Kur të keni prerë gjysmën e sasisë së rekomanduar të xhenxhefilit, hidhni sipër fetave kripën dhe masazhojini ato në mënyrë të njëtrajtshme që kripa të depërtojë në thellësi.

Lërini në kripë për një orë dhe më pas vazhdoni të prisni pjesën e mbetur të xhenxhefilit. Përsëriteni kriposjen e fetave të dyta sipas udhëzimeve të mësipërme. Një ndarje e tillë ndihmon në parandalimin e nxirjes së fetave të xhenxhefilit.

2. Pasi i keni lënë fetat e para të xhenxhefilit në një enë me kripë për një orë, hiqini ato nga lëngu i krijuar dhe vendosini në një napë të pastër që të përthithë lëngun e akumuluar.

Të njëjtën gjë bëni edhe me fetat e mbetura të xhenxhefilit. Mbajini ato brenda napës për 10 minuta dhe më pas bashkoni të gjitha fetat e xhenxhefilit në një enë tjetër të pastër.

3. Ngrohni uthullën dhe sheqerin në një tenxhere në zjarr mesatar. Përziejeni lëngun rregullisht deri sa sheqeri të jetë shkrirë dhe lëngu të fillojë së ziejë.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe menjëherë hidhni në të fetat e xhenxhefilit. Lëreni përzierjen të ftohet dhe më pas hidheni në një kavanoz të pastër duke e ruajtur në frigorifer për disa javë.

Në këtë mënyrë do të keni të gatshme edhe një tjetër mundësi për të përfituar nga efektet mirëbërëse të xhenxhefilit ne organizëm./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.