A Ndikon Sistemi Tretës Në Zhvillimin E Demencës?

356 0

Demenca është një sëmundje e cila prek funksionet konjitive që janë të menduarit, të gjykuarit, kujtesa, aftësia për të marrë vendime, probleme të mundshme me komunikimin dhe perceptimin vizual.

Llojet më të zakonshme të demencës përfshijnë sëmundjen e Alzheimerit, demencën vaskulare, demencën e përzier dhe demenca e trupëzave Levi.

Biologjikisht, demenca shkaktohet nga dëmtimi ose humbja e qelizave nervore të quajtura neurone dhe lidhjeve mes tyre.

Dëmtimi i ndalon neuronet të dërgojnë dhe të marrin mesazhe në mënyrë efektive.

Simptomat që përjeton çdo person ndryshojnë në varësi të llojit të demencës dhe të neuroneve të dëmtuara.

Bakteret, viruset ose kërpudhat infektive mund të shkaktojnë dëmtim të neuroneve duke aktivizuar qelizat inflamatore të trurit.

Shkencëtarët ende po përpiqen të mësojnë se cilët faktorë mund të shkaktojnë ose mbrojnë nga zhvillimi i saj.

Hulumtimet e fundit tregojnë se mikrobioma e zorrëve mund të luajë një rol kompleks, për më tepër AgroWeb.org ju fton të vazhdoni me leximin e artikullit.

Mikrobioma dhe boshti zorrë-tru

Zorrët janë shtëpia e një numri të madh mikroorganizmash, duke përfshirë bakteret dhe arkeat, të cilat së bashku quhen mikrobiota e zorrëve ose mikrobioma.

Katër grupet kryesore të baktereve në zorrën e njeriut janë Firmicutes, Bacteroidetes, Actinobacteria dhe Proteobacteria.

Megjithatë, llojet dhe numrat e secilit grup nuk janë konstante por ndryshojnë vazhdimisht.

Faktorë të ndryshëm, si regjimi ushqimor, mjekimet dhe sëmundjet, mund të ndikojnë në përbërjen e tyre.

Mikrobioma luan një rol të rëndësishëm në kontrollin e funksioneve normale të trupit, duke përfshirë rezistencën ndaj infeksioneve, rritjen e metabolizmit, inflamacionin dhe parandalimin e sëmundjeve autoimune.

Tashmë dihet se mikrobioma ndikon në sistemin tretës dhe proceset e sistemit nervor qendror.

Ky rrjet i komunikimit midis zorrëve dhe trurit njihet si “boshti zorrë-tru”, i cili është përgjegjës për lidhjen e funsksioneve të trurit me funksionet e tretjes.

Studimet e fundit kanë treguar se ndërveprimi mes tyre mund të ndryshojnë në varësi të përbërjes së mikrobiomës së zorrëve.

Lidhja midis mikrobiomës, ushqyerjes dhe demencës

Shkencëtarët besojnë në lidhjen mes obezitetit dhe të ushqyerit me rënien e funksioneve njohëse dhe demencës.

Mekanizmat përgjegjëse mbeten kryesisht të pazbuluara, por hulumtimet tregojnë për ndryshime në mikrobiomë dhe inflamacion.

Eksperimentet e kryera kanë treguar se rritja e baktereve të këqija në zorrë përkeqëson aftësitë njohëse duke prekur drejtpërdrejt rajonin e trurit përgjegjës për të menduarit kritik dhe të mësuarit.

Një regjim ushqimor i pasur me sheqerna, yndyrna të larta dhe me pak fibra, reduktojnë numrin e baktereve të mira.

Studimet e fundit mbështesin konceptin se ndryshimet në mikrobiomë mund të ndikojnë në zhvillimin e demencës.

Në këtë përfundim ka luajtur rol të rëndësishëm teknologjia e re e përdorur.

Analizat e mikrobiomës së zorrëve të njerëzve me sëmundjen Alzheimerit kanë zbuluar një shumëllojshmëri të reduktuar të mikrobeve.

Në mënyrë të veçantë, studiuesit kanë treguar nivele më të ulëta të Firmicutes dhe Bifidobacterium dhe një nivel më të lartë të Bacteroidetes.

Hulumtimet kanë treguar gjithashtu se mikrobiomat e zorrëve të njerëzve me demencë kanë më shumë baktere pro-inflamatore dhe më pak baktere anti-inflamatore. /AgroWeb.org