A Po Vuan Nga Trauma e Pandemisë? – Ja Cilat Janë Simptomat

436 0

Psikiatrët në Shtetet e Bashkuara thonë se pandemia e COVID-19 ka të gjitha karakteristikat e një traume të fortë me pasoja në shëndetin fizik dhe emocional të shumë njerëzve.

Ajo rrezikon më shumë disa kategori njerëzish përfshirë fëmijët.

Ndikimet e traumës së patrajtuar janë shumë të gjata në kohë dhe tepër negative, që do të thotë se pasojat e pandemisë do t’i ndiejmë edhe pasi ajo të jetë plotësisht nën kontroll.

Këtë e thonë ekspertët amerikanë, të cilët sqarojnë se vetëm pas 10 vjetësh do të dihet mirë si ka ndikuar pandemia në shëndetin mendor.

Treguesit Kryesorë Të Traumës Prej COVID-19

Në terma të përgjithshëm, trauma përkufizohet si përjetimi i një eventi tronditës siç mund të jetë një abuzim seksual, lufta, një aksident me makinë ose abuzimi ndaj fëmijëve.

Një nga treguesit kryesorë të traumës prej COVID-19 është identifikimi i botës si një vend i rrezikshëm.

Njerëzit ndihen të pasigurtë, me vigjilencë të shtuar dhe aktive në mënyrë të vazhdueshme, të pushtuar nga ndjenja dhe mendime negative gjithnjë e në rritje, e të tjerë kanë probleme me gjumin.

Kush Janë Njerëzit Më Të Traumatizuar Prej COVID-19?

Studimi më i fundit të cili i referohet AgroWeb.org thotë se punonjësit e sektorit të shëndetësisë, prej muajsh në vijën e parë të luftës kundër virusit, kanë përjetuar dhe vazhdojnë të përjetojnë nivele të rritura të traumës për shkak të pandemisë.

Veç tyre, e gjithë popullësia globale është e traumatizuar për shkak të pandemisë, të rritur e fëmijë.

Fëmijët e Traumatizuar Prej COVID-19

Ekspertët e terapive për traumat e fëmijërisë thonë se sa herë që një fëmijë ndihet i pasigurtë, pa vetë-kontroll, apo i rrezikuar nga ndonjë sëmundje, lëndim serioz, apo edhe vdekja, ai/ajo përjeton një eksperiencë traumatike.

Për më tepër, për fëmijët eksperiencë traumatike është edhe prania e një rreziku apo kërcënimi për jetën e prindit dhe çdo gjë e tillë i ndikon ata sikur tu kishte ndodhur atyre.

Humbja e rutinës, ndërprerja e shkollës, lojrave me bashkëmoshatarët si më parë, është jo vetëm çorientuese për fëmijët por edhe e rrezikshme.

Kush Janë Njerëzit Më Të Rrezikuar Nga Trauma Prej COVID-19?

Ekspertët janë akoma në fazat fillestare të mbledhjes së të dhënave për numrin e saktë të njerëzve në botë që po përjetojnë traumë prej COVID-19.

Megjithatë, ajo që ata nënvizojnë njëzëri është se:

fëmijët dhe të rriturit që kanë çrregullime apo probleme mendore si dhe ata që kanë përjetuar trauma në fëmijërinë e tyre janë më të prirur të shfaqin simptomat e traumës, gjë që rrit rrezikun e vetëvrasjes dhe vetë-lëndimit.

Trauma duhet trajtuar sa më parë. Disa studime thonë se trauma e patrajtuar shkakton ndryshime fizike në trurin e personit, përkeqëson shëndetin fizik, nxit përdorimin e substancave narkotike dhe rrit rrezikun e vetëvrasjes.

Si T’i Dalloni Shenjat e Traumës?

Tek fëmijët, ekspertët thonë që prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj:

  • urinimit të beftë në shtrat
  • shpërthimeve të përsëritura të inatit
  • drojës së shtuar dhe tërheqjes në vetvete
  • ëndrrave të këqija dhe anktheve të shpeshta

Tek të miturit, prindërit duhet të shohin nëse fëmijët e tyre ndihen të pashpresë, të hutuar dhe të mpirë.

Të rriturit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj:

  • rritjes së intensitetit të mendimeve dhe ndjenjave shqetësuese;
  • anktheve të natës,
  • të vjellave, të përzierave dhe dhimbjeve të kokës,
  • konfuzioniy, përqendrimit të pakët, problemeve me kujtesën,
  • ankthit, frikës, zemërimit të shtuar

Si Të Trajtojmë Simptomat e Traumës?

Mënyra më e mirë për trajtimin e traumës është nëpërmjet trajtimeve psikologjike dhe terapive të këshillimit, sidomos për fëmijët.

Këta të fundit duhet të ekspozohen sa më pak ndaj lajmeve dhe prindërit duhet të kenë fëmijët e tyre prioritet.

Fëmijëve u duhet mësuar tani më shumë se kurrë strategjitë e vetë-qetësimit, frymëmarrjes së thellë në mënyrë që ata të dalin sa më parë nga situata stresuese.

Sot më shumë se kurrë duhet të kujdesemi për veten dhe fëmijët tanë, sepse një ditë, pandemisë do i vijë fundi, dhe na duhet të jemi të shëndetshëm që të ecim përpara./AgroWeb.org