Si Ndikon Konsumi i Kalorive Përpara Gjumit Tek Pesha dhe Shëndeti?

534 0

Nuk ka dyshim që sasia dhe llojet e karbohidrateve që hamë, kanë ndikim në shëndetin tonë.

Së pari, le të rishikojmë se çfarë janë karbohidratet dhe si funksionojnë ato në trup.

Frutat, perimet dhe drithërat, përmbajnë karbohidrate. Laktoza në qumësht, niseshtja dhe ëmbëlsuesit në bukë, biskota, makarona, karamele dhe pije, janë karbohidrate.

Trupi i ndan karbohidratet në glukozë, sheqer i thjeshtë. Kur glukoza absorbohet nga sistemi tretës, ajo çlirohet në sistemin e qarkullimit të gjakut.

Më pas insulina ndihmon në transferimin e saj në qelizat ku mund të veprojë si “karburant” për trupin.

Kur ka shumë glukozë, qelizat në vend që ta djegin për energji, e ruajnë sheqerin ose si glikogjen ose si yndyrë (në muskuj ose mëlçi).

Disa njerëz mendojnë se sa më shumë karbohidrate të hanë, aq më shumë energji ruajnë dhe aq më shumë peshë fitojnë.

Por për shkak se trupi kërkon më pak energji brenda natës, duket e arsyeshme që sheqernat që marrim nga karbohidratet gjatë natës, kanë më shumë gjasa të ruhen sesa të digjen.

Si ndikon kjo në cilësinë e gjumit tuaj dhe a është vërtetë i dëmshëm konsumi i tyre para gjumit, AgroWeb.org ju fton ta zbuloni më poshtë.

Cilësia E Gjumit

Një studim në të cilin AgroWeb.org u mbështet, tregoi se konsumi i lartë i sheqernave të rafinuar në çdo kohë të ditës, mund të rrezikojë gjumin.

Gjithashtu një dozë sheqeri para gjumi, mund të shkaktojë probleme me tretjen dhe parehati gjatë ciklit të gjumit.

Por ju nuk keni pse të ndaloni konsumin e të gjithë karbohidrateve para gjumit.

Në fakt, konsumi i karbohidrateve komplekse para gjumit, mund të jetë i dobishëm.

Karbohidratet komplekse, përmbajnë fibra, vitamina, minerale dhe shpërbëhen ngadalë, duke ju mbajtur të ngopur për më gjatë. Në këtë mënyrë ju do të flini të qetë, pa qenë nevoja të zgjoheni nga uria gjatë natës.

Karbohidratet ndihmojnë në rritjen e prodhimit të serotoninës, i cili mund të ndihmojë në uljen e hormonit të stresit, kortizolit. Kjo mund t’ju ndihmojë të relaksoheni dhe të bëni një gjumë të rehatshëm.

A Është Vërtet I Keq Konsumi I Karbohidrateve Para Gjumit?

Jo edhe aq! Ajo që ka më shumë rëndësi është sasia që konsumoni gjatë ditës sepse nëse e tejkaloni atë, ka të ngjarë të shtoni peshë.

Është e rëndësishme të ushqeheni rregullisht gjatë gjithë ditës dhe të përfshini ushqime të cilat përmbajnë karbohidrate komplekse. Në këtë mënyrë do të shmangni urinë gjatë orëve të vona të mbrëmjes dhe si rrjedhojë shtimin në peshë.

Dhe nëse jeni duke bërë një stërvitje intensive në mbrëmje, karbohidratet para gjumit mund të jenë të nevojshme për të furnizuar në mënyrë të përshtatshme trupin me energji.

Por nëse po kërkoni të humbisni peshë, studimet kanë treguar se konsumi i një mëngjesi me karbohidrate të larta dhe i një darkë me karbohidrate të ulëta, mund t’ju ndihmojë./AgroWeb.org