Fiksimi i Rrezikshëm i Ushqyerjes Së Shëndetshme

466 0

Ngrënia e një sallate çdo ditë dhe mohimi i kënaqësive të tjera ushqimore mund të duket si një angazhim i fortë ndaj ushqyerjes së shëndetshme.

Por në rastet kur njeriu refuzon të hajë qoftë edhe një ëmbëlsirë apo qofte dhe i përmbahet me rreptësi vetëm ushqyerjes me sallata, atëherë kemi të bëjmë me një mani obsesive dhe të rrezikshme.

Në vitet e fundit psikologët kanë vënë re një trend në rritje të njerëzve të fiksuar pas ushqyerjes së shëndetshme.

Ky fiksim që tashmë identifikohet si  ‘ortoreksia nervosa’, sipas tyre është tepër i rrezikshëm për mirëqenien.

Ortoreksia nervosa përkthehet si ‘ushqyerja e duhur’, por përshkruan një fiksim patologjik ndaj ushqyerjes së pastër ose të shëndetshme.

Njerëzit që i nënshtrohen regjimeve strikte vetëm me disa përbërës të ‘shëndetshëm’ mendohet të vuajnë nga ky çrregullim.

Këto regjime janë aq strikte sa kanë një ndikim të ashpër në shëndetin mendor dhe fizik të njeriut.

Çfarë Është Ortoreksia Dhe Sa E Rrezikshme Është Ajo?

Një njeri që vuan nga ortoreksia ndjek rregulla strikte dhe tepër të ashpra në ushqyerje.

Ai ose ajo krijon një listë të mirëfilltë ushqimesh të shëndetshme dhe jo të shëndetshme.

Këta njerëz përjetojnë ndjenja faji ose ankthi nëse konsumojnë ushqime që nuk bëjnë pjesë në listat e përpiluara.

Karakteristikat e njerëzve të tillë janë të ngjashme me ato që vuajnë nga anoreksia dhe që kërkojnë perfeksionin në çdo gjë.

Sipas ekspertëve, ushqyerja është një proces shumë kompleks.

Me të, është e pamundur të jesh perfekte.

Një regjim i shëndetshëm pranon devijime të caktuara në stilin e jetesës.

Këto devijime nuk janë kurrësesi një shenjë e dështimit personal.

Eliminimi i disa ushqimeve mund të shkaktojë kequshqyerje ose të nxisë njerëzit të hanë më tepër.

Nëse një person eliminon të gjitha sheqernat, atëherë ai ose ajo do të jetë më shumë i uritur.

Në raste stresuese, ndjenjat e fajita dhe turpit janë aq të forta sa mund ta shtyjnë njeriun drejt një pjate të mbushur plot me të ëmbla.

Ortoreksia është e rrezikshme edhe në aspektin social.

Nëse një person shpenzon shumë nga koha e tij në gatimin e një ushqimi specifik të pastër e të shëndetshëm, do të izolohet nga kënaqësia e ngrënies me të tjerët.

Një izolim i tillë është i rrezikshëm jo vetëm në aspektin fizik por edhe atë shpirtëror./AgroWeb.org