Bujqësia Jashtë Krizës – Pandemia Nxiti Eksportet e Fruta-Perimeve Dhe Bimëve Mjekësore

486 0

Shitjet dhe konsumi i prodhimeve të tokës kanë pësuar rritje gjatë vitit 2020, duke e bërë bujqësinë një ndër të paktët sektorë që nuk u prek nga kriza e pandemisë. Viti që lamë pas, sipas të dhënave që raporton Instituti i Statistikave, shënon rritje me ritme dyshifrore të eksporit të produkteve bujqësore.

Gjatë 10-mujorit, eksportet e zarzavateve u rritën me 14% në raport me janar-tetor 2019.

Me ritme të ngjashme u rritën edhe eksportet e frutave, të cilat ishin 16% më të larta se në 10-mujorin e vitit 2019.

Përkundër zhvillimeve të përgjithshme ekonomike që për shumë aktivitete rezultuan fatale, eksporti i ushqimeve dhe pijeve, gjatë periudhës janar-tetor 2020 është rritur me 10% në krahasim me 2019, duke arritur vlerën e 32 miliardë lekëve (257 milionë euro). Ushqimet u renditën si grupi i tretë më i madh në 9 grupet e eksportit, duke zënë 14% totalit të totalit.

Ky vit krize ishte i mbarë për eksportuesit e bimëve mjekësore, ku pati kujdes të shtuar  për përdorimin e tyre në familje dhe rritje të kërkesës për blerje nga kompanitë farmaceutike. Gjatë 10-mujorit, eksportet e bimëve mjekësore u rritën me mbi 17%, me vlerë totale prej 4.3 miliardë lekësh.

Bimët mjekësore ishin grupi i tretë më i madh në 22 grupet që përfaqësojnë eksportin e ushqimeve. Për 2021-n, bujqësia është vlerësuar si një 5 shtyllat ku do të mbështetet buxheti, çka pritet të nxisë edhe zhvillimet pozitive në këtë sektor./Burimi:Euronews