Ekzistojnë prova që disa pjesë të sipërfaqes së Venusit lëvizin ngjashëm me atë të Tokës.
“Kemi identifikuar një model të panjohur më parë të deformimit tektonik në Venus, një model që drejtohet nga lëvizja e brendshme ashtu si në Tokë”, tha Paul Byrne, një profesor nga Universiteti Shtetëror i Karolinës së Veriut, sipas transmetuesit britanik BBC.
“Edhe pse ndryshe nga tektonika që ne aktualisht e shohim në Tokë, kjo është prap provë e lëvizjes së brendshme që shprehet në sipërfaqen e planetit”, shtoi Byrne sipas Anadolu Agency.
Në lajmin e BBC-së gjithashtu thuhet se shkencëtarët përdorën të dhënat e mbledhura nga anija kozmike e NASA-s e quajtur Megellan.
Këto të dhëna u mblodhën duke filluar nga viti 1989 deri më 1994, për të qenë në gjendje të përshkruajnë strukturat sipërfaqësore të planetit.
Çfarë është zbuluar?
Studiuesit i kanë quajtur këto struktura sipërfaqësore si “campi”, nga latinishtja për fjalën “fusha”.
“Tradicionalisht, litosfera e Venusit shtresa e saj e jashtme shkëmbore mendohej se ishte në një pjesë të vazhdueshme, në kontrast me Tokën, e cila është e thyer në një mozaik të pllakave tektonike të lëvizshme”, theksohet më tej.
Megjithatë, BBC raportoi se sipas gjetjeve të botuara nga revista PNAS, “litosfera e Venusit në të vërtetë ka një farë shkalle lëvizshmërie, edhe pse jo sa ajo e Tokës”.
“Rezultatet e modeleve kompjuterikë tregojnë se shkëmbi i shkrirë magma që lëkundet nën kore mund të prodhojë tendosje, thyerje dhe shtrembërim të parë në pamjet e sipërfaqes të realizuara nga Magellan”, tregojnë gjetjet.
“Pra, aktiviteti tektonik i Venusit mund të ngjajë me atë në Tokën e hershme, gjatë Erës Arkeane, midis 4 miliardë dhe 2,5 miliardë vjet më parë, kur rrjedha e nxehtësisë brenda planetit ishte më e lartë dhe litosfera më e hollë”, shtohet më tej.
Sipas hulumtimit, blloqet, 100 deri 1.000 kilometra të gjata, gjithashtu i ngjajnë korës së Tokës si në Tarim dhe Sichuan të Kinës dhe pellgun Amadeus të Australisë, si dhe Masivit Bohemian që mbulon pjesën më të madhe të Republikës Çeke.
Burimi: Top Channel