Makarona me Kungull dhe Mish të Grirë – Receta Perfekte e Vjeshtës

782 0

Një nga arsyet më të forta përse e duam shumë vjeshtën janë ushqimet e mira e natyrale që bëhen në këtë periudhë.

Më i famshmi ndër to është kungulli i vjeshtës i cili përveçse shumë i shijshëm ka edhe shumë vlera për shëndetin.

I pasur me vitaminë A, antioksidantë dhe ushqyes të tjerë kungulli i vjeshtës është përfekt për t’u shijuar me makarona.

AgroWeb ju sugjeron të përgatisni recetën perfekte të vjeshtës si mëposhtë.

Përbërësit

320 gr makarona tub rigatoni

400 gr kungull vjeshte

200 gr mish i grirë

100 gr djathë kaçkavall

Gjysmë qepe

Vaj ulliri

Kripë

Piper i zi

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, AgroWeb ju këshillon të vini në zjarr tenxheren me ujin e makaronave.

Ndërkohë në një tigan të mbushur mirë më vaj ulliri, shtoni gjysmën e qepës të grirë hollë në mënyrë që të skuqet.

Po aty shtoni edhe mishin e grirë dhe lëreni të skuqet teksa bëni gati kungullin e pastruar e të prerë në kubikë.

Shtojeni tek tigani me pak kripë, vendosni kapakun dhe lëreni për 10 minuta në zjarr dhe herë pas here perziejini paksa.

Kur të ziejë uji, shtoni kripën dhe hidhni makaronat të ziejnë aq s akoha e parashikuar në kuti.

Ndërkohë kungulli duhet të jetë zier e zbutur dhe me anë të piruni shtypni disa prej tyre në formën e puresë.

Shtoni edhe djathin kaçkavall të grirë, pak ujë nga ai i makaronave dhe përzieni mirë të gjithë masën në mënyrë që të formohet një salcë kremoze.  

Kulloni makaronat të cilat duhet të jenë aldente dhe përziejini tek tigani ku ndodhet salca e kungullit.

Në fund kur e gjithë masa të jetë bashkuar shtoni pak piper të zi të sapobluar dhe shijojini./AgroWeb.org