Fenomeni i Vetmisë dhe Braktisjes në Shqipëri – Nga Fëmijët Tek Të Moshuarit

789 0

Nënë Tereza thoshte se ‘Vetmia dhe ndjesia e të qenit të padëshiruar janë varfëria më e tmerrshme’.

Kjo thënie thjesht ilustron atë që shumë mjekë shkencëtarë e konfirmuan më vonë:

Vetmia të mbyt

Një raport i ditëve të fundit ngre shqetësimin se vetmia ka një efekt shkatërrimtar ndaj shëndetit.

Madje më shumë se mbipesha.

Lidhjet shoqërore ulin rrezikun e vdekjes

Studimet mbi rolin e vetmisë kanë arritur në konkluzionin se një jetë e pasur sociale ul me të paktën 50% rrezikun e vdekjes së parakohshme.

Gjatë 5 viteve të fundit janë publikuar rreth 70 studime mbi vetminë dhe izolimin social tek 3.4 million njerëz.

Konkluzioni ishte se ndikimi negativ i këtyre tre faktorëve në shëndet ishte i barabartë ose më i madh se mbipesha.

Mbipesha në vetvete është një epidemi globale që rrezikon jetët e mbi 2.5 miliardë njerëzve në mbarë botën.

Kjo epidemi i bën njerëzit më të prekshëm nga sëmundjet e zemrës, kanceri, diabeti e të tjerë dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me nivelet e larta të vdekshmërisë.

Situata në Shqipëri

Në Shqipëri, vetmia është kthyer në një mbyllje të ashpër sociale dhe një varfëri të madhe shpirtërore, sidomos për të moshuarit.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik konfirmojnë se shumica e të moshuarve në Shqipëri vdesin jo vetëm nga sëmundjet kronike, por edhe nga braktisja.

Sipas ISHP-së të moshuarit në vend jetojnë të vetmuar.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilëson vetminë dhe braktisjen një lloj abuzimi dhe lënie pas dore.

Të dhënat shkencore thonë se vetmia kronike pret kryesisht moshat mbi 45 vjeçare, por në Shqipëri po prek edhe grupmoshat e reja.

Kjo është konfirmuar pas shembujve që vijnë nga departamentet e pediatrisë në vende të ndryshme.

Izolimi social, braktisja dhe vetmia janë ndër format më të ashpra të ndëshkimit që aplikohet tek fëmijë dhe të rritur duke krijuar kështu vatrën e një vetmie të madhe.

Kjo ndodh edhe në Shqipëri, ku shumë fëmijë abuzohen dhe ndëshkohen duke u detyruar të shkëpusin kontakte për arsye nga më të ndryshmet përfshirë varfërinë dhe emigracionin.

Të Jetuarit Vetëm

Institucionet shqiptare nuk kanë publikuar të dhëna të sakta mbi numrin e banorëve që jetojnë vetëm.

Megjithatë ekspertët mendojnë se shumica e grupmoshës 45 vjeç që janë të vetmuar ose jetojnë vetëm banojnë në zonat rurale.

Psikologë të ndryshëm  të kontaktuar nga AgroWeb.org konfirmojnë se vetmia është rritur ndjeshëm në Shqipëri edhe mes grupmosha më të reja.

Divorcet në rritje

Instituti i Statistikave vëren se divorcet janë shënuar një rritje drastike që nga viti 2001 duke arritur në 31 divorce për 100 martesa.

Lindshmëria

Nga ana tjetër, lindshmëria në vend ka rënë në nivelin më të ulët në 100 vitet e fundit.

Instituti i Statistikave thotë se në vitin 2016, u regjistrua niveli më i ulët të lindjeve në 31,733.

Shkaktarët e vetmisë

Sipas shkencëtarëve, niveli i lindshmërisë, qasjet negative ndaj martesës dhe rritja e divorceve janë ndër shkaktarët e kësaj të keqeje të madhe të shoqërisë.

AgroWeb.org nuk ka shifra të sakta për dimensionet e vetmisë në Shqipëri.

Ekspertët nga ana tjetër besojnë se numri i njerëzve që jetojnë në vetmi apo janë të vetmuar po rritet.

Mjafton t’i hedhësh në sy të shpejtë bareve, restoranteve, shkollave, institucioneve që të kuptosh se njerëzit janë të vetmuar edhe në shoqërinë e të tjerëve.

Përqendrimi është më i lartë në lidhjet me televizorin, kompjuterin, tabletin, celularin dhe izolimi social është i frikshëm.

Këto mjete të përditshmërisë sonë krijojnë iluzionin se njeriu ia del të jetojë i vetëm, por shkencëtarët thonë se jo.

Vetmia është e rrezikshme sepse i çel rrugën depresionit, ankthit kronik madje dhe vetvrasjes.

Njerëzit duhet të mësohen të krijojnë aftësi më të mëdha sociale dhe të krijojnë kontakte njerëzore më të forta.

Vetmia nuk kurohet as duke lexuar këtë artikull për vetminë. Megjithatë  si fillim mund ta hiqni telefonin nga dora.

Më pas përpiquni ngadalë të rimëkëmbni lidhjet shoqërore me njerëzit. Në këtë mënyrë, do të shpëtoni një jetë ose më shumë./ AgroWeb.org

*Lajmi i mësipërm u realizua nën këshillimin e ngushtë profesional me Dr. Anila Sulstarova. Anila Sulstarova është pedagoge në departamentin e Pedagogjisë dhe Psikologjisë prej vitit 2005 dhe psikologe klinike prej vitit 2001.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.