Fiq Të Mbushur Me Djathë Dhie Të Pjekur Në Furrë

1.1k 0

Fiqtë e freskët janë ndër dhuratat më të mira e më të shëndetshme të stinës së verës.

Fiqtë janë të pasur me sheqerna natyrale, minerale dhe fibra të tretshme.

Ato janë të pasur me potasium kalcium, magnesium, hekur si dhe janë një burim i mirë me antioksidantë, me vitaminat A, E dhe K që kontribuojnë në shëndet dhe mirëqenie.

Fiqtë shpesh rekomandohen për të ushqyer dhe tonifikuar stomakun.

Ato përmbajnë shumë fibër dhe veprojnë si një laksativ natyral.

Fiqtë  përmbajnë dhe prebiotikë, që ndihmojnë bakterjet e mira që ndodhen në stomak, duke përmirësuar kështu aparatin tretës.

Ato janë një frut i pasur edhe me kalcium.

Ky mineral është thelbësor për dendësinë e kockave dhe ndihmon veçanërisht në uljen e rrezikut të osteoporozës.

Fiqtë janë pjesë e shumë recetave të shijshme të stinës dhe kombinohen me një sërë ushqimesh të ëmbla dhe të kripura.

Këtu përfshihet djathi i dhisë që me fikun kombinohen më së miri në një kafshatë aq të shijshme sa do ju lërë pa fjalë.

Fiq Të Mbushur Me Djathë Dhie Të Pjekur Në Furrë

Për përgatitjen e kësaj recete ju nevojiten:

6 fiq mesatarë

100 gramë djathë të butë dhie

2 lugë gjelle me arra të grira

1 lugë gjelle me sherebelë të grirë

2 lugë gjelle me mjaltë

Kripë dhe piper sipas dëshirës.

Ndizeni furrën dhe gradojeni në 200 °C. Fiqtë bëjini gati për mbushje duke i prerë në maja në formën X. Më pas mbushuni me djathë dhie duke përdorur një lugë çaji.

Spërkatini me arra, sherebelë dhe mjaltë e më pas shtoni pak kripë dhe piper.

Futini në furrë dhe lërini të piqen për rreth 5 minuta ose deri sa të zbuten.

Fiqtë e mbushur me djathë dhie janë një antipastë e shkëlqyer verore që mund të shoqërohet me verë të bardhë.

Ekspertët e AgroWeb.org thonë se në vend të djathit të dhisë mund të përdorni edhe djathë parmixhan, gjizë, djathë gorgonxola apo mocarella.

Sipas preferencës fiqtë mund t’i spërkatni edhe me pak limon, ndërkohë që në vend të arrave mund të përdorni edhe bajame. /AgroWeb.org