Infektimet me Variantin Delta: Shqipëria ndër 4 vendet me më pak të vaksinuar në Evropë

394 0

Frika nga përhapja e variantit të virusit Delta ka bërë që të gjithë shtetet të përshpejtojnë ritmet e vaksinimit, si mënyra e vetme për të kaluar sa më lehtë një valë të re të mundshme.

Sipas të dhënave të Worldindata, Europa mesatarisht ka vaksinuar të paktën pjesërisht 44.4% të popullsisë (32.2% tërësisht, ndërsa edhe 12.2% kanë marrë të paktën një dozë. Të dhënat janë të përditësuara deri në datën 12 qershor.

Rekordin në Europë e mban Mbretëria e Bashkuar, me vaksinimin të pjesshëm të 68% të popullsisë, nga të cilët 51.4% janë vaksinuar plotësisht ndërsa 16.3% të tjerë kanë marrë një dozë.

Qeveria britanike ka bërë të ditur se vaksinimi ka dhënë një ndikim të ndjeshëm për të ulur numrin e të shtruarve në spital, të infektuar me variantin Delta.

Sipas një analize nga Njësia e Shëndetit Publik të Anglisë, vaksina Pfizer-BioNTech është 96% efektive kundër shtrimit në spital pas 2 dozave, ndërsa vaksina Oxford-AstraZeneca është 92% efektive kundër shtrimit në spital pas 2 dozave. Këto janë të krahasueshme me efektivitetin e vaksinës kundër shtrimit në spital nga varianti Alpha. Duhen më shumë të dhëna për të përcaktuar nivelin e mbrojtjes nga vdekshmëria nga varianti Delta. Sidoqoftë, ashtu si me variante të tjera, kjo pritet të jetë e lartë, thekson raporti.

Në vend të dytë në Europë është Belgjika, me 66% të popullsisë pjesërisht të vaksinuar, (43% me të dyja dozat). Më pas renditet Holanda me 65% (39% e vaksinuar plotësisht).

Austria është shteti që ka përqindjen më të madhe të popullsisë në Europë, që është vaksinuar tërësisht, me rreth 54% të totalit.

Italia ka vaksinuar të paktën pjesërisht 59% të popullsisë, (39% e kanë përfunduar procesin).

Greqia ka dhënë të paktën një dozë për 50.5% të popullsisë. Gati 42% i kanë marrë të dyja dozat.

Vaksinimi në rajon, Shqipëria mbetet pas

Serbia vijon të mbetet shteti me nivelin më të lartë të vaksinimit në rajon, ndonëse ritmet kanë rënë ndjeshëm në raport me shkurtin e marsin, kur ajo u rendit e dyta në Europë pas Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë ajo vijon të ketë një peshë të lartë për popullsinë e vaksinuar plotësisht, me 38% të totalit (40% pjesërisht).

Mali i Zi, që e filloi vaksinimin më vonë sesa Shqipëria ka ecur më me shpejtësi, duke vaksinuar plotësisht 23% të popullsisë, ndërsa dhe 2.3% të tjerë e kanë marrë një dozë (totali 25.2%).

Shqipëria i ka ngadalësuar ritmet e vaksinimit. Deri në 12 qershor, vetëm 20.5% e popullsisë ishte e vaksinuar pjesërisht. 15.2% e popullsisë kanë marrë të dyja dozat. 5.3% ka marrë vetëm një.

Edhe Maqedonia e Veriut ka vaksinuar pjesërisht rreth 20% të popullsisë (rreth 12% plotësisht).

Më pas në Europë kanë mbetur Bullgaria (14.2% të vaksinuar të paktën pjesërisht), Kosova (9.4%), Bosnjë Hercegovina (9.3%)./Burimi:Panorama