Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se situata që po ndodh në vendet e Amerikës së Jugut dhe asaj Veriore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, është një tregues i qartë se çfarë e pret botën në muajt në vijim.

“Të presësh që ne do ta shkatërrojmë këtë virus brenda pak muajve, nuk është realiste,” tha Majk Rajan, drejtor i programit për emergjencat mjekësore në OBSH.

“Të besosh gjithashtu se vaksina perfekte do të zhvillohet si me magji dhe të gjithë do të kenë akses ndaj saj, është po aq jo realiste,” shtoi ai.

Sipas Rajan, në vende të ndryshme ku përhapja e virusit ka dalë jashtë kontrollit, izolimi mund të jetë i nevojshëm dhe se autoritetet duhet të marrin masa shtesë, të rivendosin besimin tek populli, të komunikojnë dhe të ndërmarrin strategji të forta për të mbajtur situatën nën kontroll.

4 Gabime Që Përkeqësojnë Përhapjen e Koronavirusit

Karantina

Nëse dikush dyshon që është i infektuar nga COVID-19 ose ka simptoma si temperaturë, kollë dhe dhimbje fyti duhet të izolohet në karantinë që mos të infektojë të tjerët.

Izolimi duhet marrë seriozisht.

Të luash me jetën tënde dhe të tjetrit nuk është aspak shaka.

Ndaj mos bëni gabimin të anashkaloni rëndësinë e të treguarit kujdes dhe vigjilencë.

Teoritë Konspirative.

Rrjetet sociale në vendin tonë po gëlojnë me informacione të rreme, duke cituar edhe burime jo zyrtare dhe teori konspirative që i hedhin benzinë zjarrit.

Nëse njerëzit besojnë gjithçka që lexojnë në internet, ata nuk do ta marrin sëmundjen seriozisht, do të besojnë se rakia e shëron atë, dhe do të rrezikojnë veten e të tjerët.

Jini skeptikë ndaj asaj që lexoni, zgjidhni burime të mira informacioni dhe ndiqni këshillën e autoriteteve zyrtare.

Mos harroni që Koronavirusi është një epidemi e re dhe asnjë prej nesh nuk është ekspert i fushës, aq më pak ata që besojnë se rakia është ilaçi që shëron çdo gjë.

Kurat Natyrale

Po, hudhra është e mirë për shëndetin. Po, ajo është e pasur me antioksidantë e vitamina, por Koronavirusi nuk do t’ia dijë për këto.

Deri më tani NUK ka asnjë vaksinë që shëron Koronavirusin.

Përderisa nuk ka vaksinë, si mundet hudhra apo rakia apo vitamina C ta shërojnë atë?

A nuk do të ishte Organizata Botërore e Shëndetësisë që do të këshillonte e para kura të tilla natyrale?

Mungesa e Higjenës

Me higjenën nuk bën dot shaka.

Larja e duarve duhet të jetë mbi 20 sekonda por nuk duhet të zgjasë aq sa të numëroni ju shpejt e shpejt deri në 20.

Duart duhen larë me sapun dhe nuk duhet thjesht shpërlarë siç shohim rëndom.

Njerëzit që tështinë duhet të vendosin bërrylin përpara gojës dhe jo dorën.

Stërklat mbeten në duar, dora prek diçka tjetër e kësisoj përhapet sëmundja.

Antidisinfektantët duhet të kenë mbi 60% përmbajtje të alkolit.

Ekspertët thonë se mënyra më e mirë për të mundur virusin është të ndryshojmë mënyrën tonë të sjelljes dhe kjo nis me larjen e duarve./AgroWeb.org