Patëllxhanë Të Shtruar Me Domate – Tava Më e Thjeshtë Për T’u Përgatitur

997 0

Ka shumë receta të cilat kanë si përbërësin kryesor patëllxhanin, një perime që tani e gjeni të freskët në të gjithë tregjet.

AgroWeb.org ka publikuar artikuj të shumtë me mënyrat nga më të ndryshmet për përgatitjen e pjatave perfekte me patëllxhanë.

Po aq perfekte është edhe receta e sotshme, e cila kërkon shumë pak përbërës.

Në vetëm 25 minuta ju do të keni gati një recetë plot shije, dhe me një sekret të vogël do ta ktheni në më të shëndetshmen.

Lexoni më poshtë hapat që duhet të ndiqni në mënyrë që ta përgatisni këtë recetë kurdoherë.

Përbërësit

700g patëllxhanë

250g salcë domatesh ose 3-4 domate mesatare

250g djathë i bardhë i thërrmuar

80g djathë kaçkavall

3 thelpinj hudhra

Bukë e thekur e thërrmuar

Miell

2 lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

Piper

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që të lani patëllxhanët dhe domatet me ujë të bollshëm.

Më pas pastroni patëllxhanët dhe filloni t’i prisni në shirita.

Vendosini në një pjatë dhe spërkatini më pak kripë, lërini derisa të kenë lëshuar lëngun dhe thajini me letër kuzhine.

Kështu patëllxhanët nuk do të përthithin shumë vaj gjatë skuqjes dhe receta nuk do të jetë e rëndë për organizmin.

Ndërkohë keni vendosur një tigan me pak vaj në zjarr.

Spërkatini fetat e patëllxhanit me pak miell dhe skuqini lehtë në tigan duke u siguruar që t’i ktheni nga të dyja anët.

Patëllxhanët që skuqni shtrojini në tavën e spërkatur më parë me vaj ulliri dhe pak bukë të thekur të thërrmuar.

Kur të keni krijuar një shtresë me patëllxhanë hidhni pak salcë domatesh dhe përhapeni mirë që të mbulohen patëllxhanët.

Pas saj thërrmoni pak djathë të bardhë dhe grini një thelbi hudhër, pak kripë dhe piper.

Vazhdoni të përsërisni këto hapa derisa në fund të keni shtruar patëllxhanë.

Hapi i fundit është dhe më i lehti, spërkateni tavën me pak djathë kaçkavall, kështu kut të piqet sipërfaqja do të jetë krokante.

Futeni tavën për t’u pjekur në në 200 gradë për 25 minuta.

Kjo recetë është perfekte për stinën e verës, jo vetëm se patëllxhanët janë të freskët, por sepse është e lehtë.

Mund ta shërbeni të ngrohtë duke e shoqëruar me sallata të ndryshme, apo kos ose tarator.

Por nëse dëshironi mund edhe ta ruani në frigorifer dhe ta shërbeni të ftohtë si një drekë të shëndetshme dhe plot freski./AgroWeb.org