Produktet e Bulmetit – Si Të Bëni Zgjedhje Të Zgjuara Për Shëndetin

897 0

Të dhënat e Eurostat për vitin 2018, të përpunuara nga revista Monitor tregojnë se në 12 muaj shqiptarët konsumuan rreth 9.1 mijë tonë qumësht ose 11 përqind më shumë se në vitin 2014.

Sasia e qumështit e konsumuar për t’u pirë ka shënuar një rritje prej 11% në krahasim me vitin 2014. Rritje kanë njohur edhe nënproduktet e qumështit si kosi, djathi dhe ajka.

Pavarësisht konsumit në rritje të produkteve të tilla, debatet mes ekspertëve janë të përqendruara tek yndyra që ato përmbajnë dhe ndikimi në shëndet.

Me Apo Pa Yndyrë

Ekspertët e sëmundjeve kardiovaskulare këshillojnë konsumin e dy ose tre racioneve të produkteve të bulmetit me pak ose aspak yndyrë.

Përmbajtja e lartë e vitaminave dhe proteinave që përmbajnë produkte të tilla përmirëson shëndetin e zemrës por edhe ul tensionin e gjakut.

Pavarësisht këtyre këshilla, studime të tjera të cilave u referohet AgroWeb.org këshillojnë se nuk ka arsye të forta përse produkteve bazë, siç janë qumështi, kosi, gjiza/djathi  u duhet hequr yndyra sepse në këto raste ajo nuk ndikon në vdekshmërinë si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare e në disa raste bën mirë.

Kjo këshillë sidoqoftë nuk vlen për gjalpin, konsumi i lartë i të cilit rrit rrezikun e sklerozës.

Konsumi i më shumë se një lugë gjelle gjalpë në ditë konsiderohet i dëmshëm.

Le të kalojmë tek sëmundjet kancerogjene të cilat dy vite më parë zunë  16,9 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i dytë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara në vendin tonë.

Në vitin 2018, niveli i vdekshmërisë për këtë grup sëmundjesh ishte 128,9 për 100 mijë banorë dhe pësoi një rritje prej 1,4 % krahasuar me vitin 2017.

Studimet mbi rolin e produkteve të bulmetit tek këto sëmundje janë kontradiktore dhe kanë një problem kryesor.

Shumica e tyre analizojnë produkte të ndryshme të bulmetit dhe i rendisin ato në një kategori të vetme. Kjo nënkupton se kosi me yndyrë të plotë, djathi, ajka por edhe akullorja janë të barabartë.

Në të vërtetë është krejt e kundërta dhe vlerat e kosit, me apo pa yndyrë nuk mund të krahasohen me ato të akullores për shëndetin.

Mbipesha

Kur bëhet fjalë për mbipeshën, ka shumë studime që lidhin konsumin e produkteve me yndyrë të bulmetit me një rrezik në ulje ndaj mbipeshës.

Arsyeja përse studime të tilla arrijnë në këto konkluzione është se yndyrnat tek produkte të caktuara të bulmetit e mbajnë njeriun të ngopur.

Idea është që nëse një ushqim i caktuar ka jo vetëm shije të mirë por edhe të ngop shpejt, nuk do ta shtyjë njeriun drejt ushqyerjes pa kufi.

Ekspertët besojnë se është e mundur që njerëzit që shmangin yndyrën kanë më shumë gjasa të kenë një ushqyerje të mangët dhe më vonë gjatë jetës të përballen me mbipeshën.

Si Të Bëni Zgjedhje Të Mençura

Nëse ju pëlqejnë produktet e bulmetit me yndyrën e vet, është e rëndësishme që mes tyre të bëni zgjedhjen e duhur.

Konsumi i djathit apo kosit me yndyrë mund të jetë i vlefshëm në disa raste, sidomos nëse shoqërohet me fruta apo arrorë, duke ofruar kështu ekuilibër në ushqyerje.

Nëse djathin dhe kosin e shoqëroni me pica apo produkte tepër të yndyrshme, atëherë dukshëm nuk po bëni një zgjedhje të mençur dhe yndyrnat e bulmetit do të bëhen të dëmshme.