Zbulohet Pacienti Zero- Sa Kapacitet Ka Shqipëria Për të Përballuar COVID-19

369 0

Pas mbledhjes së qeverisë në mëngjesin e ditës së sotme, në lidhje me masat e ndërmarra për kornavirusin, u konfirmuan rastet e para në Shqipëri.

Dy individë, banues në Tiranë, pas testimit në laboratorin e virologjisë pranë IShP, u konfirmuan se ishin të infektuar me COVID-19.

Para pak orësh Ministria e Shëndetësisë dhe Departamenti i Sëmundjeve Infektive mbajtën një konferencë të përbashkët.

Gjatë deklaratës së saj shefja e këtij departamenti, Zonja Silva Bino pohoi se tanimë mjekët kanë verifikuar se pacienti zero është 28 vjeçari.

Personi në fjalë ka hyrë në territorin shqiptar në 26 Shkurt dhe ka infektuar më pas babanë e tij.

“E kemi të qartë rrugën që ka ndjekur dhe kontaktet që ka pasur. Kontakti më i ngushtë është i ati, edhe ai i infektuar. Vijojmë gjurmimin e kontakteve të dyta apo të treta të tij, që mund të jenë prekur”, shprehu Bino për mediat.

Dy të infektuarit janë vendosur në pavijonin e infektivit të QSUT, dhe raportohet se gjendja e tyre vazhdon të jetë e stabilizuar.

Sa kapacitet ka Shqipëria për të përballuar një epidemi?

Sipas shefes së infektivit, Shqipëria mund të kryejë 200-500 analiza në ditë për rastet e dyshuara me COVID-19.

Ndërkohë nga ana tjetër, AgroWeb.org mësoi se karantina në Durrës është gati dhe brenda standardeve të përcaktuara nga OBSH.

Në këtë karantinë parashikohet që të trajtohen rastet më të rënda nëse do të lindë nevoja.

Urgjenca Kombëtare ka disa javë që ka vënë në dispozicion nr 127 për të gjithë qytetarët të cilët kanë shqetësime.

Deri më tani në këtë numër kontakti janë raportuar rreth 751 thirrje në lidhje me koronavirusin.

Këtë fakt e pohoi për mediat Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

Sipas të dhënave ku AgroWeb.org bazohet, rreth 80% e këtyre rasteve nuk kanë patur nevojë për trajtim.

Po Shërbimet Kirurgjikale?

Në konferencën e përbashkët, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se nga dita e sotme do të anulohen të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara.

Gjithçka bëhet për të parandaluar dhe kufizuar krijimin e rasteve të reja në ambientet e spitalit.

Urdhri sigurisht prek vetëm ndërhyrjet kirurgjikale, duke përjashtuar patologjitë malinje dhe rastet e urgjencave.

“Kemi pasur kohë për të bërë trajnime sipas protokolleve të OBSH-së”, përmbylli ministria Manastirliu./AgroWeb.org