Lakër me Presh dhe Patate në Tigan – Shija e Veçantë e Shtëpisë

1.9k 0

Të tiganisura apo tavë, nëse nuk mund të zgjidhni, një kombinim mes të dyjave do të ishte perfekte.

Në këtë recetë mblidhen të gjitha perimet më të shijshme të dimrit e në mënyrën më të shijshme.

Në vetëm pak minuta do të keni në tryezë një gatim të ngrohtë e plot aromë të mirë që do ju mbajë të ngopur për një kohë të gjatë.

Preshi, patatet dhe lakra janë padyshim shija më e mirë e shtëpisë ndaj ndiqni këtë mënyrë interesante përgatitjeje që AgroWeb.org ua tregon në hapa të thjeshtë.

Përbërësit

  • 900 gr lakër e bardhë
  • 800 gr patate
  • 40 gr presh
  • 40 gr djathë kaçkavall
  • 300 ml ujë
  • Vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper i zi
  • Nenexhik

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të lani dhe pastroni preshin, lakren dhe patatet.

Prisni lakrën përgjysmë e më pas në fije të holla.

Po kështu veproni edhe me pataet dhe preshin duke i prerë në rrathë të hollë.

Vendosni një tigan në zjarr me pak vaj ulliri, tigani duhet të jetë i përshtatshëm edhe për tu futur në furrë.

Aty shtoni si fillim preshin të skuqet dhe menjëherë më pas patatet.

Bëni kujdes t’i përzieni mirë të gjithë përbërësit në mënyrë që të mos ngjiten në tigan.

Shtoni lakrën, ujin dhe përzieni vazhdimisht të gjithë përbërësit derisa uji të avullojë.

Për më shumë aromë hidhni edhe gjethet e nenxhikut, kripën, piperin e më pas vendosni një kapak.

Lëreni të gatuhet në zjarr të avashtë për 20 minuta dhe ndërkohë grini djathin kaçkavall.

Pasi të ketë kaluar koha, hiqni kapakun dhe shtoni me lugë djathin kaçkavall sipër.

Lëreni të gatuhet edhe 5 minuta të tjera më pas futeni në furrë për 5 minuta derisa të piqet sipër e të krijojë koren krokante.

Pasi ta nxirrni nga furra priteni në racione të vogla dhe shërbejeni të ngrohtë./AgroWeb.org