Liker me Shegë dhe Raki – Si të Përgatisni në Shtëpi Shijen e Vjetër

2.6k 0

Likeri është një pije e distiluar alkoolike që mund të përgatitet me shije dhe aroma të ndryshme.

Ka një shije të fortë dhe zakonisht ngjyra karakteristike që e bëjnë të dallojë nga llojet e tjera të pijeve alkoolike.

Fjala liker vjen nga latinishtja dhe do të thotë “të tresësh”, në këtë pije mund të tresni ujin sheqerin, alkoolin e fortë, erëza, fruta dhe barishte të ndryshme.

Është përgatitur për herë të parë rreth viteve 1200 -1300 të erës sonë në Itali dhe tradita e përgatijes së tij vazhdon e mbahet gjallë sot në të gjithë botën.

Edhe në Shqipëri mund të gjejmë disa receta të njohura likeresh dhe një prej tyre AgroWeb.org j’ua tregon në këtë artikull.

Likeri me shegë dhe raki është një nga shijet më të mira të dimrit me të cilin mund të shoqëroni frutat apo ëmbëlsirat e ndryshme.

Përbërësit

  • 700 gr shegë të qëruara
  • 500 ml raki
  • 500 gr sheqer
  • 800 ml ujë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të qëroni me kujdes shegët duke lënë në një enë vetëm kokrrat e pastra nga lëkura.

Më pas hidhini kokrrat në një enë të thellë me kapak hermetik ose në një kavanoz të madh, po aty shtoni edhe rakinë.

Mbylleni mirë në mënyrë që të mos futet ajri dhe lëreni të pushojë në një vend të freskët e të errët diku në kuzhinën tuaj.

Duhet ta lini pa e hapur për 12 ditë rradhazi dhe sigurohuni që ta tundni kavanozin të paktën një herë në ditë teksa prisni.

Pasi të kenë kaluar ditët, hapeni kavanozin dhe kulloni lëngun e përfituar nga shegët dhe rakia.

Ndërkohë vini një zjarr një tenxhere të thellë, shtoni aty ujin dhe  sheqerin në mënyrë që të përgatisni sherbetin.

Përzieni vazhdimisht derisa sheqeri të shkrihet i gjithi  pa e lënë që të fillojë të ziejë.

Në fund  kur sherbet të jetë ftohur, shtoni lëngun e shegës me rakinë që kulluat më parë dhe përzieni me anë të një luge druri.

Hidheni në një shishe qelqi dhe mbylleni mirë për ta lënë pijen tuaj të pushojë edhe 20 ditë të tjera para se ta shërbeni.

Nëse preferoni një liker aromatik mund të shtoni edhe 1 shkop kanelle në kohën kur sheget dhe rakia qëndrojnë bashkë në enë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.