Receta e Thjerrëzave me Mish – Shije Fantastike në Tryezë

3.9k 0

Thjerrëzat, bishtajorët kampion për shëndet të mirë e shije, j’ua risjellim në një recetë të re.

Nëse ju pëlqen gjella tradicionale këtë recetë do ta adhuroni, pasi është e pasur në më shumë shije e aroma.

Një nga përbërësit më të veçantë që do të gjeni këtu është birra e cila jo pak herë përdoret për t’i shtuar një prekje të re recetave.

Në pak hapa do ju mësojmë si të përgatisni thjerrësa të shijshme me mish dhe një sërë erëzash aromatike.

Ndiqni mëposhtë mënyrën e saktë të gatimit të kësaj recete që është po aq e vëçantë sa tingëllon.

Përbërësit

  • 300 gr mish tul
  • 100 gr thjerrëza
  • 500 ml birrë
  • 1 qepë e bardhë
  • 20 gr salcë domatesh
  • 30 gr gjethe panxhari ose pazi
  • 1 lugë çaji tumerik (kurkuma)
  • 1 lugë çaji kanellë pluhur
  • 1 lugë çaji piper i kuq
  • Vaj ulliri
  • Kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të prisni mishin në kubikë 2.5 cm secili.

Prisni hollë qepën e më pas gjethet e panxharit në kubikë të vegjël.

Në një tenxhere apo tigan të thellë shtoni 1-2 gisht vaj ulliri dhe lëreni të ngrohet.

Kur kjo të ndodhë, hidhni qepën e grirë, përziejini shpesh derisa të zbuten.

Më pas shtoni thjerrëzat, lërini të skuqen për 1-2 minuta e më pas shtoni copat e mishit.

Përziejini  vazhdimisht në mënyrë që të skuqen nga të gjitha anë, shtoni edhe gjethet e panxharit, salcën e domateve dhe piperin e kuq.

Shtoni po aty edhe  tumerikun bashkë me kanellën dhe përzieni mirë.

Në fund hidhni birrën, kripë sipas dëshirës  dhe lëreni të gatuhet në zjarr të ulët përreth 1 orë.

Rezultati duhet të jetë si ai I një gjelle të zakonëshme, pra jo shumë i ujshëm, por as i thatë.

Këtë pjatë mund ta shërbeni me oriz për më shumë shije./AgroWeb.org