Fokaçe me Patëllxhanë – Shija e Veçantë e Kulaçit Italian

1k 0

Fokaçja është një lloj kulaçi receta origjinale  e të cilit vjen nga italia.

Megjithatë shija e saj nuk është fare e panjohur ndaj preferohet shumë edhe në vendin tonë.

Në recetën e sotëme AgroWeb.org do ju tregojë një lloj të ri përgatitje mes asaj që mund të cilësojmë kulaç apo picë.

Ndiqni mëposhtë të gjithë procesin e gatimit dhe shijojeni nëpër shtëpitë tuaja.

Përbërësit

450 gr miell

400 ml ujë

2 lugë çaji sheqer

2 lugë gjelle vaj ulliri

7 gr maja birre

1 patëllxhan

50 ml salcë domatesh

Djathë kaçkavall

Borzilok

Djathë i bardhë

Përgatitja

Për përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të shtoni në një enë të thellë miellin, majanë e birrës,  sheqerin dhe përzieni mirë.

Më pas shtoni vajin e ullirit, ujin pak nga pak dhe kripën duke e punuar të gjithë masën pak nga pak me anë të një luge druri ose me dorë.

Do të përfitoni një masë brumi shumë të butë, por pa kokrriza të cilin lëreni të pushojë të mbuluar me një qese kuzhine përreth 2 orë.

Ndërkohë lani dhe prisni patëllxhanin në feta të cilat duhet t’I piqni në një tigan grilë, pa vaj.

Kur brumi të jetë fryrë sa dyfishi I fillimit të tij, përgatisni një tavë katrore të shtruar me letër pjekje e në të hapni me duar brumin.

Ai duhet të qëndrojë I trashë në tepsi, përafërsisht si brumi I kulaçit tradicional.

Lëreni të fryhet edhe për 30 minuta të tjera në tavë dhe kur të jetë fryrë sërish mund të vazhdoni me përgatitjen.

Në fillim shtroni salcën e domateve nëpër të gjithë sipërfaqen e saj e më pas patëllxhanët e prerë në feta dhe të pjekur më parë.

Shtoni sërish pak vaj ulliri, djathin e grirë kaçkavall, disa gjethe borzilok dhe pak djathë të bardhë të thërrmuar sipër dëshirës ose djathë mozzarella.

Futeni në furrë të ngrohtë në temperaturën 180 – 190 gradë për 25 minuta.

Kur të marrë ngjyrë të artë dhe përbërësit sipër të jenë mpiksur fokaçia juaj është gati.

Nxirreni nga furra dhe lëreni të ftohet paksa para se ta prini në katrorë të vegjël e ta shërbeni.

Mund ta ruani në një vend të freskët për të ngrënë edhe ditën më pas ose ta konsumoni menjëherë të ngrohtë./AgroWeb.org