Tartë me Kungull – Receta e Vjetër e Traditës

570 0

Me siguri keni dëgjuar të paktën një herë për tartën me kungull.

Nga të gjitha mënyrat që mund ta përgatisni këtë recetë, kjo me kungull vjeshte është ndoshta më e veçanta.

Megjithëse nuk është një recetë tradicionale vendase, jehona e saj ka udhëtuar në të gjithë botën teksa mendohet se për herë të parë është gatuar në Amerikë në fillim të viteve 1600.

Duke qenë se jemi në sezonin e kungujve të shijshëm dhe prag festash AgroWeb.org ju servir recetën e shijshme të tartës me kungull.

Mësoni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së saj.

Përbërësit

400 gr kungull

300 gr miell

350 ml krem qumështi

3 vezë

65 gr sheqer kaf

200 gr sheqer i bardhë

Gjysmë luge çaji kripë

2 lugë çaji kanellë

1 lugë çaji xhenxhefil i grirë

Lëkurë limoni

Fara karafili

100 ml vaj luledielli

Gjysmë luge çaji fryrës për ëmbëlsira

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb ju këshillon të përgatisni brumin e krostatës.

Në një enë të thellë shtoni 1 vezë, 150 gr sheqer të bardhë dhe vajin e lulediellit.

Përzieni mirë të gjithë masën derisa të formohet kremi dhe pak nga pak shtoni miellin bashkë me fryrësin.

Me anë të një spatula përzieni të gjith ëpërbërësit në mënyrë që të mos formohen kokrriza dhe formoni brumin e shkrifët.

Shtrojeni atë në një tepsi të vogël të lyer me gjalpë e të pudrosur pak me miell dhe përhapeni me duar nëpër të gjithë sipërfaqen.

Mos harroni të ngrini anët e krostatës tuaj në pjesën rrethuese të tepsisë.

Përgatitja e mbushjes

Para se të filloni me mbushjen ndizni furrën në temperaturën 220 gradë në mënyrë që ta keni të ngrohtë.

Zieni kungullin e bëjeni pure duke e shtypur ose duke e miksuar.

Ndërkohë në një enë të thellë rrihni 2 vezë, shtoni sheqerin kaf dhe 50 gr nga sheqeri i bardhë.

Po aty shtoni pak kripë, kanellë pak xhenxhefil të grirë, farat e karafilit, lëkurën e limonit dhe sipas dëshirës pak arrë moskat.

Shtoni edhe kungullin bashkë me kremin e qumështit për ëmbëlsira (pana) dhe vazhdoni me përzierjen derisa të krijoni një masë kremoze.

Këtë krem hidheni me kujdes tek peta e brumit që krijuat më parë.

Kremi i kungullit duhet të mbushë të gjithë tavën ku është vendosur brumi dhe të jetë i njëtrajtshëm.

Tundeni pak tavën dhe futeni të piqet në temperaturën 220 gradë përreth 15 minuta.

Pasi të kenë kaluar këto minuta, ulni temperaturën në 180 gradë dhe lëreni krostatën të piqet për 45 minuta të tjera.

Kur krostatat të jetë fryrë dhe të ketë marrë e gjitha ngjyrë të artë mund ta nxirrni nga furra.

Lëreni të ftohet e më pas priteni në copa trekëndore për ta shijuar./AgroWeb.org