Supa e Lehtë – Ideale Për Shëndetin Në Ndërrimin e Stinëve

494 0

Arti nuk është e thënë që të krijohet në galeri apo muze.

Në shumë raste, arti krijohet nga duart e arta të amvisave të cilat arrijnë ta shkrijnë talentin e tyre falë produkteve bujare të nënës Natyrë.

Tani që vjen pranvera, në treg mund të gjejmë shumë barishte dhe perime falë të cilave mund të krijohen copëza të shijshme e të bukura arti në kuzhinën tuaj.

I tillë është rasti i supës së ylbertë, e cila është e pasur me produkte të stinës dhe mbi të gjitha një thesar i çmuar vlerash të rëndësishme ushqyese për organizmin.

Receta e Supës së Stinës

Përbërësit

1 lugë gjelle me vaj ulliri,

2 thelbinj hudhër të grirë hollë,

1 filxhan çaji me qepë të grirë hollë,

1 filxhan çaji me copa të vogla karrote,

1 filxhan çaji me kërcenj selinoje të prera në copa të vogla,

4 filxhanë çaji me patate të prerë në copa të vogla,

4 filxhanë çaji me gjethe dhe kërcenjtë e pazisë,

5 filxhanë çaji me lëng perimesh, lëng mishi ose ujë,

Gjysëm luge çaji me kripë ose më shumë sipas dëshirës,

Gjysëm luge çaji me piper të zi,

Gjysëm luge çaji me kopër,

Çerek filxhan çaji me majdanoz të grirë hollë,

2 lugë çaji me trumzë të thatë.

Përgatitja e Supës së Ylbertë

Vendosni një tenxhere të madhe në zjarr dhe shtoni vajin e ullirit.

Kur ai të jetë ngrohur, hidhni qepën, hudhrën, selinonë dhe karrotat.

Kavërdisini në temperaturë mesatare për 3 minuta.

Më pas, shtoni patatet, pazinë, lëngun e perimeve, kripën, piperin, majdanozin, trumzën dhe koprën.

Mbulojeni kapakun dhe lërini të zihen për rreth 45 minuta.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet pakëz.

Më pas, nëse dëshironi me një kullesë të vogël, hidhini perimet në një mikser dhe përziejini deri sa të formohet një pure e trashë të cilën duhet ta hidhni sërish në tenxhere ku ka mbetur uji.

Por supën mund ta lini me copëzat e perimeve edhe pa e futur në mikser.

Supën servireni të ngrohtë duke e zbukuruar me pak majdanoz të freskët.

Gjatë përgatitjes kësaj supe mund t’i shtoni edhe perime të tjera sipas dëshirës si bizele apo kungulleshka. /AgroWeb.org