Erëza të Ngrira në Vaj Ulliri – Si të Ruani Vlerat dhe Aromën e Mirë

727 0

Erëzat jemi mësuar t’i konsumojmë të freskëta, të thara ose të bluara.

Secila prej këtyre metodave ka veçantinë dhe shijen e saj, por nuk ju mungojnë as disavantazhet.

Erëzat e freskta mund të prishen shpejt e ato të tharat megjithëse ruhen për kohë të gjata, humbasin vetitë e tyre, aromën apo ngjyrën karakteristike.

Një tjetër metodë që përdoret shpesh në kuzhinë është ngrirja e erëzave që nuk mun dtë gjendjet përgjatë gjithë vitit.

Është një praktikë e mirë, por mund të çojë në humbjen e aromës dhe shijes së erëzës ndaj AgroWeb.org ju rekomandon një nga zgjidhjet më efikase në lidhje me këtë temë.

Provoni erëzat e ngrira në vaj ulliri

Me siguri nuk e keni hasur shpesh më parë, por është një nga idetë më interesante të ruajtjes dhe përdorimit të erëzave.

Një praktikë sa interesante aq dhe e thjeshtë që do ju kursejë shumë kohë dhe dhurojë shumë shije.

Erëzat aromatike mund t’i rrisni kudo, në kopësht, në vazo ose t’i blini të freskëta në treg.

Ndaj mos e humbisni këtë përgatitje të tyre për t’i shtuar më shumë shije recetave tuaja.

Kjo mënyrë do të ruajë në maksimum vajrat që erëzat përmbajnë duke ruajtur kështu edhe shijen, aromën e vlerat e tyre.

Si t’i përgatisni

Si fillim zgjidhni erëza sa më të freskëta dhe të rritura mirë të cilat e kanë zhvilluar shijen dhe aromën e tyre.

Lajini mirë me ujë të bollshëm dhe largoni çdo gjethe të dëmtuar.

Pasi t’i keni larë thajini mirë dhe merrni një formë nga ato që përdorni për të ngrirë akullin dhe mbusheni me gjethet e freskëta të erëzave që dëshironi.

Kur të keni vendosur disa gjethe apo kërcenj, mbusheni kubin me vaj ulliri ose me gjalpë të shkrirë.

Me kujdes formën futeni në ngrirje dhe lëreni pa lëvizur për disa orë, derisa të ngrijë plotësisht.

Më pas kubikët tuaj të erëave në vaj mund t’i përdorni sipas dëshirës në receta të ndryshme.

Për shembull mund të skuqni diçka me to, mund t’i hidhni në gjellë apo supë për më shumë shije.

Gjithashtu mund t’i shkrini në temperaturë ambienti dhe t’i hidhni në sallata të ftohta.

Si t’i ruani sa më gjatë

Kujdesuni që formën e kubikëve të akullit të mos e mbushni deri në fund në mënyrë që nxjerrja e erëzave të ngrira në fund nga forma të jetë më e thjeshtë.

Pasi ato të jenë formuar mund t’i hiqni të gjitha nga forma dhe t’i ruani në qese të mbyllura po në ngrirje si dhe të vendosni datën e konservimit të tyre.

Erëzat e ngrira në vaj mund t’i ruani nga 6 deri në 9 muaj duke ju ruajtur 90% të shijen dhe aromës të paprekur./AgroWeb.org