Hapësirat e Gjelbërta në Qytete Për Një Popull Jetëgjatë

1.2k 0

Hapësirat e gjelbërta në zonat urbane janë të një rëndësie thelbësore për jetëgjatësinë e një populli.

Ky është konkluzioni i studimit më të madh të të gjitha kohërave mbi rolin e hapësirave të gjelbra urbane tek jetëgjatësia e njeriut.

Të dhënat e organizatës EcoAlbania tregojnë se në Tiranë, raporti i banorëve me hapësirën e gjelbër faktike gjatë periudhës 2009-2014 ka pësuar rënie.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, hapësirat e gjelbra urbane, parqe, kopështe, fusha, lëndina, e të tjera si këto janë jetike.

Ato i japin njeriut hapësirën që ka nevojë, jo vetëm për të kryer aktivitet fizik, por edhe për tu qetësuar, për të gjetur paqe nga kaosi i përditshëm urban.

Hapësirat e Gjelbërta Jetike për Jetëgjatësinë e Njeriut.

Në shumë artikuj të ndryshëm mbi këtë çështje, ekspertët e AgroWeb.org kanë theksuar rëndësinë që kanë hapësira të tilla për të luftuar stresin, përmirësuar shëndetin mendor dhe atë fizik.

Të dhënat, të cilave u referohet AgroWeb.org thonë se të paktën 3.3 përqind e vdekjeve në mbarë globin i atribuohen mungesës së aktivitetit fizik, që vjen edhe si pasojë e qasjes së kufizuar në zona të tilla.

Studimet e fundit tregojnë se hapësirat e gjelbërta në zonat urbane ulin nivelin e vdekshmërisë së parakohshme.

Së pari, ato pastrojnë ajrin, duke e bërë atë më të pastër e duke shmangur sëmundje që i kanosen mushkërive, jo thjesht nga stili i jetesës.

Parashikimet e Frikshme Për Zgjerimin e Zonave Urbane

Ekspertët parashikojnë se deri në vitin 2030,  rreth 60 përqind e popullësisë globale do të jetojë në zonat urbane, në qytete të mbipopulluara me hapësira të gjelbërta që tkurren gjithnjë e më shumë.

Rritja e dendësisë së popullësisë, automatikisht nënkupton se hapësirat e gjelbërta do të sakrifikohen akoma më shumë për të ndërtuar shtëpi, qendra tregtare e gradaçela.

Një gjë e tillë e bën urgjente nevojën për të pasur oaze të gjelbërta në të mirë të shëndetit.

Kjo kërkon shumë fonde dhe akoma më shumë kohë, të cilën njeriu po e humbet dita ditës./AgroWeb.org