Koronavirus Detyron Twitter të Mbyllë Dyert e Kompanisë

367 0

Një prej gjigandëve të rrjeteve sociale, Twitter, u ka kërkuar punonjësve që të mos shkojnë në zyrë, por të punojnë nga shtëpia për të mos u rrezikuar nga epidemia e Koronavirusit.

Bëhet fjalë për 4,900 persona që do të punojnë nga shtëpia për të shmangur infektimin dhe përhapjen e virusit.

“Ne jemi plotësisht të përkushtuar që të kemi një ekip të shëndetshëm. Qëllimi ynë është që të shmangim dhe ulim ndjeshëm probabilitetin e shpërndarjes së COVID-19”, thuhet në një njoftim të kompanisë, e cila ka seli edhe në Hong Kong, Japoni dhe Korenë e Jugut.

Të njëjtën praktikë po ndjek edhe kompania Google e cila selinë përfaqësuese në Evropë e ka në Dublin të Irlandës.

Rreth 8000 punonjës janë këshilluar që të punojnë nga shtëpia që të jenë më të sigurtë.

Ndërtesa prej xhami e kompanisë në Dublin u boshatis të martën, pas zbulimit se një prej punonjësve kishte disa simptoma gripi.

AgroWeb.org gjithashtu po ndjek të njëjtën praktikë për punonjësit e saj, duke u siguruar gjithashtu që zyrat t’i nënshtrohen një pastrimi dhe disinfektimi të thellë.

Si Të Përballoni Punën Nga Shtëpia 

Trendi i të punuarit nga shtëpia nisi në Azi pas shpërthimit të epidemisë në muajin Dhjetor.

Puna nga shtëpia ka shumë avantazhe por edhe disavantazhe.

Padyshim që mund tu shmangesh zhurmave, aromave dhe përtypjeve të ushqimit që të pengojnë përqendrimin por puna në shtëpi nënkupton më shumë izolim, shpërqendrim dhe nëse vazhdon gjatë humbje e sensit të vetes.

Në mënyrë që të përballoni punën nga shtëpia ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që në shtëpinë tuaj të keni një vend të posaçëm pune, në mënyrë që të jeni më produktivë.

Tingëllon shumë e lehtë të punosh nga shtrati e me pizhame, por puna është punë.

Ju duhet të çoheni nga shtrati, të visheni e të uleni për të punuar.

Mos e ndizni televizorin sepse ai do tju shpërqendrojë dhe sigurohuni që të keni ngrënë mëngjes.

Përpiquni që disa herë në javë të dilni nga shtëpia e të punoni nga një kafene.

Kjo është një justifikim i vlefshëm për të marrë pak ajër dhe për të pasur ndërveprime sociale, që janë shumë të nevojshme./AgroWeb.org