Parashikimet e Zymta Të OBSH Për Koronavirusin Dhe Shëndetin Mendor

441 0

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të mërkurën se koronavirusi mund të mos largohet kurrë.

Sipas ekspertëve të OBSH-së, koronavirusi mund të transformohet në një endemi si ajo e HIV dhe popullësisë globale i duhet të mësojë si të bashkëjetojë me të. Ndonëse shpresat e globit janë varur tek vaksina, ka shumë sëmundje të tjera në botë që nuk janë zhdukur dot pavarësisht gjetjes së një vaksine.

Aktualisht, sipas OBSH-së, në botë po krijohen dhe testohen mbi 100 vaksina potenciale. Megjithatë, ekspertët thonë se deri sa të gjendet e duhura, do të duhet kohë.

Mjeku epidemiolog Dritan UIqinaku tha në një intervistë për Euronews Albania, se virusi COVID-19 tashmë ka shpërthyer në hemisferën jugore, gjë që sipas tij, tregon se ai “jeton edhe në temperatura të larta dhe mund të rikthehet sërish në vjeshtë dhe dimër.”

Kriza e Shëndetit Mendor Global Në Prag

Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëruan të mërkurën se një krizë akoma më e thellë është në prag. Bëhet fjalë për të të shëndetit mendor.

“Izolimi, frika, pasiguria dhe situata ekonomike, mund të shkaktojnë shumë stres psikologjik tek njerëzit” tha shefja e Departamentit të Shëndetit Mendor pranë OBSH-së, Devora Kestel.

Sipas saj, stresi po vërhet në shumë aspekte të shoqërisë dhe kategori të popullësisë. Fëmijët dhe të rinjtë të izoluar nga bashkëmoshatarët dhe punonjësit e sektorit të shëndetësisë që shohin shumë infeksione dhe vdekje rreth tyre janë ndjeshëm më të rrezikuar nga kjo krizë.

Psikologët shprehen se fëmijët në shumë vende të botës po shfaqin shenja ankthi dhe depresioni.

Rastet e Dhunës Në Familje Dhe Asaj Gjinore Në Rritje

Nga ana tjetër, fenomeni i dhunës në familje po pëson një rritje të ndjeshme.

Statistikat zyrtare në disa vende të Ballkanit, përfshirë këtu Shqipërinë dhe Kosovën, tregojnë për një rritje të dhunës në familje.

Sipas të dhënave të Ambasadës Amerikane në vendin tonë,  vetëm në muajin prill, Linja Kombëtare për Gra dhe Vajza  mori 975 telefonata raportuese të dhunës me bazë gjinore.

Në prill të 2019, ku numër ishte 312.

Policia e Kosovës njoftoi dy javë më parë se në tre mujorin e parë të 2020, janë regjistruar 481 raste të dhunës në familje.

Misioni i OSBE-së në Kosovë publikoi të dhëna edhe më shqetësuese. Sipas OSBE-së, në disa zona të Kosovës është vërejtur një rritje  prej 136 për qind rritje të dhunës, ndërkohë që vetëm në Prishtinë kjo rritje arrin në  87 për qind./AgroWeb.org