Supë Kremoze Me Brokoli – Receta e Shijshme e Vjeshtës

828 0

Supa me brokoli është një nga recetat që nuk duhet të mungojë në tryezën e dikujt që ka si qëllim rënien nga pesha.

Ajo është e lehtë dhe shumë e shëndetshme.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e shijshme të supës së lehtë me brokoli dhe djathë kaçkavall, e cila është e pasur me proteina dhe përgatitet krejt thjeshtë në shtëpi.

Ajo është ideale për vaktin e drekës por edhe të darkës.

Përgatitja e Supës me Brokoli

Përbërësit

200 gramë brokoli

150 ml lëng perimesh

Gjysëm qepe e grirë hollë,

3 thelpinj hudhër të grirë hollë,

20 gramë gjalpë,

Një majë luge arrëmyshk,

Një majë luge piper të bardhë, të zi dhe kripë.

50 gramë djathë kaçkavall

Miell

Përgatitja

Verëni ujin në zjarr dhe kur të ketë valuar hidhni tufëzat e brokolit.

Hiqini nga tenxherja pas një minuti dhe lërini mënjanë.

Në tenxhere hidhni pak gjalpë ose vaj dhe hidhni 2-3 lugë miell. Kavërdisini mirë deri sa mielli të marrë një ngjyrë kafe të çelët.

Më pas shtoni lëngun e perimeve që të tretet mielli që më pas do të përdoret për trashjen e supës.

Në një tigan tjetër kaurdisni në gjalpë hudhrën, qepën dhe më pas shtoni brokolin.

Shtoni erëzat dhe pas kaurdisjes lërini të ftohen pak.

Kalojini në mikser bashkë me djathin dhe purenë e formuar hidheni në tenxheren ku është mielli i tretur në lëngun e perimeve.

Vendoseni tenxheren në zjarr për një valë përfundimtare dhe servireni.

Vlerat ushqimore të brokolit

Vlerat ushqimore, e bëjnë brokolin një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë.

Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun, të lirë në çmim por shumë të pasur në vlera dhe shije.

Brokoli është i pasur edhe me fibër të tretshme që nxjerr kolesterolin e keq jashtë trupit.

Kjo perime shërben edhe si antioksidant duke qenë se ka nivele të larta e të përqendruara të vitaminës C dhe flavonoidëve që përmirësojnë funksionet e kësaj vitamine.

Brokoli është i pasur me mineralet alkalinë dhe si çdo perime tjetër e ndihmon organizmin të ulë nivelet e dëmshme të aciditetit dhe e pastron atë nga toksinat.

Brokoli përmban nivele të larta të kalciumit dhe vitaminës K, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e kockave dhe parandalimin e osteoporozës.

Kjo perime e gjelbër bën mrekullira për zemrën. /AgroWeb.org