Kërpudha të Skuqura me Vezë – Receta e Veçantë Plot Vlera Ushqyese

3k 0

Kërpudhat janë nga ato ushqime që mbajnë shumë vlera, por që gatuhen shumë pak në kuzhinën  e përditshme.

Njihen si një nga burimet më të mëdhaja të vitaminës D aq shumë të nevojshme për shëndetin e lëkurës dhe të gjithë organizmit.

Kërpudhat ndihmojnë sistemin nervor, vitaminën B dhe forcojnë sistemin imunitar.

Në mënyrë që t’i shijoni sa më shumë në dietën tuaj të përditshme AgroWeb ju tregon një recetë të thjeshtë përgatitje.

Ndiqeni mëposhtë dhe përgatiteni në shtëpitë tuaja fare lehtë sa herë tju marrë malli për kërpudhat e shëndetshme.

Përbërësit

250 gr kërpudha

2 vezë

100 gr Miell

100 gr bukë e thekur e grirë

Vaj për skuqje

Kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, AgroWeb ju këshillon të pastroni si fillim kërpudhat.

Zhvishini nga pjesa e sipërme e cipës së tyre dhe pritini përgjysmë ose në feta nëse janë të mëdha.

Nëse keni zgjedhur kërpudha të vogla mund t’i lini të plota dhe të vazhdoni me përgatitjen.

Në një enë rrihni vezët, shtoni pak kripë dhe rrihini me anë të një piruni.

Veçmas hidhni miellin dhe në një enë tjetër edhe bukën e thekur të grirë.

Do të keni tre enë me përbërës të ndryshëm.

Merrni kërpudhat, kalojini fillimisht tek ena me miellin dhe lyejini mirë.

Më pas kalojini tek vezët dhe në fund tek buka e thekur e grirë.

Vendosini të gjitha në një pjatë njëra pas tjetrës ndërkohë bëni gati tiganin për skuqje.

Hidhni vajin deri në gjysmë të tij dhe më pas kërpudhat një nga një.

Lërini të skuqen 3-4 minuta secilën duke i rrotulluar e më pas kullojini në një letër kuzhine.

Pasi të keni kulluar mirë vajin, vendosini në një pjatë dhe mund t’i shijoni menjëherë.

Shoqërojini me pjata mishi, sallata dhe salca të ndryshme pë një shije më të fortë./AgroWeb.org