Observatori Global i Shëndetit: Shqipëria me Numrin më të Ulët të Mjekëve në Rajon

312 0

Me përhapjen e virusit COVID-19 në Shqipëri filloi edhe implementimi më rigoroz i rregullave të përcaktuara nga OBSH.

Sigurisht vëmendje më të madhe ka stafi mjekësor i cili është ai që është në linjën e parë të rrezikut.

Nga të gjithë vendet në botë që tani kanë hyrë në ‘zonën e kuqe’ mjekët janë ndër të infektuarit e parë.

Diçka që e vështiron misionin dhe punën e tyre duke i vendosur në një presion fizik dhe psikologjik.

Nga ana tjetër barra profesionale është e lartë pasi përveç këtij virusi, mjekët duhet të menaxhojnë edhe sëmundjet rutinë.

Panoramë e Situatës së Spitaleve në Shqipëri

Sipas të dhënave të Observatorit Global të Shëndetit, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon.

Me vetëm 1.2 mjekë për 1000 banorë, raporti është shqetësues kur kreu i OBSH vetëm ditën e djeshme deklaroi se realiteti i një pandemie është i afërt.

Një tjetër shqetësim që ngre raporti i publikuar nga kjo instancë, lidhet me shpërndarjen e stafit mjekësor.

Sipas të dhënave nga INSTAT, në Shqipëri gjenden 42 spitale publike të cilat mund të aksesohen nga qytetarët.

Por Ministria e Shëndetësisë pohon se shërbimet në këto spitale ofrohen me vështirësi, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të mjekëve specialistë.

Tirana, duke qenë edhe kryeqyteti i vendit, mban dhe spitalet universitare më të shumta.

Në këto spitale përballohet dhe fluksi më i madh i pacientëve, duke mbingarkuar punën e stafit ekzistues.

Një tjetër e dhënë për situatën aktuale vjen edhe nga Indeksi Evropian i Shëndetit (EHCI).

Sipas të dhënave, nga ku bazohet edhe AgroWeb.org, Shqipëria ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor.

Gjithçka lidhet me strukturën e vjetruar shëndetësore si dhe me një raport shumë të madh e të kushtueshëm të kujdesit për pacientin.

Sa të Përgatitur Janë Mjekët Për Përballimin e Një Virusi të Ri?

Sipas njoftimeve të shumta zyrtare nga Ministra e Shëndetësisë, duket se masat parandaluese janë ndërmarrë.

Stafi mjekësor është trajnuar për disa javë në lidhje me trajtimin e pacientëve të infektuar me koronavirus.

Nga ana tjetër pavijonet dhe zonat karantinë janë përgatitur në bazë të kushteve të përcaktuara nga OBSH.

Urgjenca Kombëtare është në gatishmëri të të gjitha rasteve të reja për t’i këshilluar dhe udhëzuar të gjithë qytetarët.

Ndërkohë që çdo ditë masat shtohen në varësi të situatës të së prekurve.

Masat kanë të bëjnë me parandalimin e përhapjes; mbyllja e shkollave, ndalimi i grumbullimeve të qytetarëve, lejimi i të punuarit nga shtëpia etj./AgroWeb.org