Tavë me Fasule Pllaqi dhe Spinaq – Receta e Thjeshtë Plot Vlera

2.2k 0

Nëse po kërkoni një ushqim që i ka të gjitha fasulet pa dyshim që futen në këtë kategori.

Të pasura me proteina dhe fibra ato konkurojnë ngushtë edhe ushqime si mishi, gjithashtu janë më të përballueshme ne çmim dhe mund t’i gjeni lehtë të freskëta nëpër tregje.

Jo më kot mbeten një nga ushqimet e gatimet më të preferuara të familjeve shqiptare.

Në recetën e sotme do ju tregojmë si të përgatisni plot finesë e shije fasulet tuaja për t’i kthyer në një pjatë shoqëruese apo si vakt kryesor në tavolinë.

Provoni fasulet pllaqi me spinaq dhe shija do ju mbesë gjatë në shqisa e memorie.

Ky kombinim magjik në shije është po aq i vlefshëm edhe në vlera ushqyese për të gjithë organizmin.

Në një pjatë të vetme mund të përfitoni shumë fibra, proteinë, hekur dhe shumë vitamina të nevojshme për të qenë të shëndetshëm në çdo kohë.

Ndiqni mëposhtë gjithçka që ju duhet të bëni për të përgatitur këtë recetë.

Përbërësit

  • 200 gr fasule pllaqi
  • 300 gr spinaq
  • 1 karrotë
  • 1 qepë
  • 2-3 thelpinj hudhër
  • Vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper i zi

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete vini fasulet të ziejnë derisa të zbuten plotësisht.

Njëkohësisht në një tigan kavërdisni perimet e grira hollë me pak vaj ulliri dhe kripë.

Qepën, karrotat dhe hudhrën lërini në zjarr derisa të fillojnë të zbuten e të marrin ngjyrë të artë.

Më pas në një tavë pjekje shtroni gjethet e pagatuara të spinaqit shtoni sipër fasulet e  ziera bashkë me perimet qe skuqët në tigan e në fund hidhni gjysmë gote lëng nga uji i fasuleve që zjetë.

Shtoni kripë sipas dashirës dhe trazoni me kujdes të gjithë përbërësit në tavë.

Futeni të piqet në furrë të para ngrohur në temperaturën 200 gradë përreth 15 minuta.

Kur të jetë gati shërbejeni të ngrohtë me pak piper të zi sipër./AgroWeb.org