Vitet e fundit flitet gjithnjë e më shumë për ditët pa makina apo për promovimin e jetës sa më aktive e sportive.

Gjithashtu një vend të rëndëishëm në diskutimin e përditëshëm zë aktiviteti fizik si faktori kyç e shëndetit të plotë e të mirë.

Të gjitha këto bashkë bëjnë atë që quhet jetesë e shëndetëshme e cila jo gjithnjë mund të arrihet.

Kjo pasi, ritmi i jetës është tepër i shpejtë dhe jo fort favorizues i jetës së lirë e shumë aktive.

E megjithatë përtej kësaj në vendin tonë duket se jo të gjithë qytetarët e mendojnë këtë.

Të dhënat e INSTAT zbardhën qytetet me më pak makina ku qytetarët preferojnë të ecin në këmbë dhe ato ku makinat përdoren më shumë dhe ecja në këmbë nuk praktikohet.

Qytetet më aktive

Dibra dhe Korça janë qarqet me numrin më të ulët të automjeteve në vend.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, dibranët janë përdoruesit më të pakët të makinave në vend, pasi atje numërohen vetëm 103 automjete për 1000 banorë.

Por nuk mbeten pas korçarët, ku referuar INSTAT, përllogaritet të ketë  vetëm 112 makina për 1000 banorë që jetojnë në qarkun e Korçës.

Me sa duket dibranët dhe korçarët preferojnë të ecin pak më shumë në këmbë se pjesa tjetër në vend.

Në vend të tretë për numrin e ulët të automjeteve në raport me popullsinë është qarku i Elbasanit, ku për vitin 2018 kishin në përdorim 116 makina për 1000 banorë.

Nga ana tjetër edhe pse Kukësi është cilësuar si qarku më i varfër i vendit, kur vjen puna të numri i automjeteve, në vitin 2018 kishin 130 automjete për 1000 banorë, me një diferencë të konsiderueshme nga qarku i Dibrës që renditet i fundit.

Në qarkun e  Fierit dhe të Beratit, në vend të pestë dhe të gjashtë, kanë përkatësisht 153 makina për 1000 banorë, ndjekur nga Gjirokastra me 171 makina për 1000 banorë, Vlora dhe Shkodra me 187, si dhe Lezha me 190 makina për 1000 banorë.

Qytetet me pak aktive

Nga ana tjetër Tirana dhe Durrësi mbajnë rekord për numrin e lartë të makinave, ku për vitin 2018 e tejkaluan numrin 200 për një banorë në këto qarqe, përkatësisht 201 për qarkun Durrës dhe 215 për qarkun e Tiranës.

Sipas INSTAT gjatë të dhënave tre vjeçare 2016-2018, vihet re se mjetet rrugore për pasagjerë për 1.000 banorë kanë një tendencë rritje në numrin e tyre.

Qarku i Tiranës zë 38,3 % të mjeteve për pasagjerë

Gjatë periudhës 2016-2018, qarku me rritjen mesatarisht më të lartë të numrit të mjeteve për pasagjerë llogaritur për 1.000 banorë është qarku i Kukësit me mesatarisht 10,3 % mjete për 1.000 banorë i ndjekur nga qarku i Dibrës me 10,1 % mjete për 1.000 banorë.

Qarku me rritjen mesatarisht më të ulët të numrit të mjeteve për pasagjerë është qarku i Tiranës me 2,5 % mjete për 1.000 banorë.

Ndërkohë, për të njëjtën periudhë, qarku me rënien mesatarisht më të lartë paraqitet qarku i Gjirokastrës me 2,2 % mjete më pak për 1.000 banorë.

 

Burimi: Revista Monitor